Laçi mposht Flamurtarin, rrezikon rënien nga kategoria

Goli i Ansi Nikës në të 78′, nxorri jo vetëm Laçin nga zona e ftohtë e renditjes, duke i dhënë fitoren kurbinasve ndaj Flamurtarit, por gjithashtu zhbllokoi dhe shkodranin që më në fund gjeti finalizimin e parë sezonal. Laçi fitoi 1-0 ndaj vlonjatëve në shtëpi, duke parakaluar në klasifikim kuqezinjtë, që tashmë e shikojnë veten më shumë se të rrezikuar për rrëzimin më poshtë. Në një sfidë shumë të rëndësishme, ku nuk mungoi dhe loja e ashpër, diferencën e bëri dëshira më e madhe e kurbinasve që u përpoqën të diktonin ritmin në një përballje të drejtpërdrejtë për mbijetesën. Rastet më të mira gjithashtu gjatë sfidës ishin për vendasit, me Nikën që rrezikoi dy herë në pjesën e parë në të 3-ën dhe në të 27-ën, ndërsa dhe Sergio Junior në të 25-ën u ndal vetëm nga Halilaj.
Flamutari, ndërkohë vuajti lojën e shpejtë të kurbinasve, dhe të vetmin rast në këtë fraksion e regjistroi me Galic në të 45-ën, por Selmani u shfaq gati. Dhe në pjesën e dytë nuk është se ndryshoi shumë, me Flamurtarin që pati disa raste sporadike si ajo e Alveshit apo dhe pretendimin për penallti të dy minutave më parë, ndërsa Laçi u tregua konkret me Nikën që shënoi me kokë, pasi nuk u mbulua nga Galiç. Vlonjatët madje rrezikuan të pësonin dhe golin e dytë, por Halilaj u tregua i zoti në dy raste në pritjet ndaj Sergio Junior dhe Gjonit. Reagimet e portierit të kuqezinjve mund të kishin shërbyer për diçka, nëse Dushku do të kishte shënuar në të 87-ën, por nga dy hapa gaboi golin e barazimit, duke lejuar Laçin të marrë një epërsi jo të vogël në garën për titullin.

Artikulli paraprakItalia, Ventura me risi ndaj Shqipërisë
Artikulli tjetërÇelsi nuk ndalet