Lacio dhe Fiorentina nxjerrin Juven nga zona Champions, Dibala shpëton pankinën e Juriç te Roma

Ndeshjet e mbrëmshme në Serinë A kanë sjellë fitore të skuadrave që pretendojnë për të zënë një vend në zonën Champions, me tre pikë të regjistruara nga ekipe si Fiorentina, Lacio dhe Roma. Një situatë që ka bërë që tashmë në klasifikim edhe Juventusi i cili shihej si pretendent për titullin, të jetë vetëm në vendin e 6.

Fillimisht ishte Fiorentina e cila fitoi 1-0 falë Gosens në transfertën ndaj Xhenoas, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin e drejtuar nga Paladino. Më pas, në darke e kishte radhën Lacio që të mundte Komon në transfertë me rezultatin e thellë 5-1. Kështu, të dy skuadrat u ngjitën në kuotën e 19 pikëve, po aq sa Atalanta e vendit të tretë, duke lënë pas Juventusin që ka vetëm 18 pas 10 ndeshjeve të luajtura.

Ndërkaq, një fitore e rëndësishme ishte ajo 1-0 e Romës falë golit të Dibala, pasi suksesi ndaj Torinos duket se ka shpëtuar të paktën për momentin pankinën e trajnerit Ivan Juriç.

Artikulli paraprakKurkumina, antioksidanti popullor që ju nevojitet për të ngadalësuar plakjen
Artikulli tjetërPse Evropa pret me ankth rezultatin e zgjedhjeve në SHBA?