Lady “Justice”

Ilirjan TAGA

Para jo shumë kohësh po kërkoja një dhuratë simbolike për një mikun tim të cilit do t’i duhej që nga ai moment të bënte drejtësi aty ku do të shkonte. Krejt rastësisht e hasa një statujë të vogël të një femre që, në njërën dorë kishte një shpatë dhe në tjetrën kishte një peshore. Kur e mora në dorë, pashë që sytë i kishte të mbyllur, të lidhur me një rrip. Më pëlqeu simbolika e cila deri diku ishte e kuptueshme, dhe ia dhurova. Shpresoj që, ta ketë vendosur tek tavolina e punës dhe here pas here ta shohë me vëmendje e ta ketë si këshilluese në punën që po bën.
Arrestimi i mjekut që rastësisht ishte bërë pjesë e përgjimeve lidhur me korrupsionin në Gjykatën e Krujës, dhe “udhëkryqi” brenda vetes e në diskutime me miq lidhur me “fajësinë a pafajësinë” e mjekut, ma sollën në mendje shpesh simbolikën e kësaj statuje këto ditë.
Zallamahi qëndrimesh emotive kundër, pro, edhe po edhe jo, as po as jo, jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë por, edhe të analistëve, politikanëve dhe mjaft personave publikë.

Ky është kardiokirurg shumë i zoti, ndoshta më i miri që kemi, a duhet ai të jetojë me rrogën që atij i jep shteti?! Pse, nuk meritoka ai me shumë?! A nuk bëjnë kështu të gjithë dhe e hëngri ky kot, rastësisht?! A nuk duhet të kalbet në burg që të bëhet shembull?! Po si ta fusim në burg doktorin kur kushedi sa të sëmurë po presin në radhë, kushedi sa operacione do të kishte bërë dhe që aq mire sa ai zor se i bën dikush tjetër, sikur kemi mjek të tillë me lopatë ne?! A nuk fuste doktori pa radhë, pra në radhën e atij që nuk paguante se nuk paguante dot, atë që e paguante më mirë apo kishte mikun më të fortë?! A nuk është faji i sistemit që nuk e vlerëson siç duhet të aftin?! A nuk po e bën shembull mjekun politika bashkë me SPAKun se nuk bëjnë dot shembull tjetër, atë që duhet, zyrtarin e lartë, ministrin, deputetin e me radhë?! A nuk ia japin lekët vetë njerëzit doktorit pasi u shpëton jetën e të afërmit?! A nuk i detyron doktori të japin lekë sepse përndryshe ua lë të afërmin të vdesë pa e marrë shërbimin?!
Pastaj edhe ata, ultraparimorët, me qëndrimet e tipit bolshevik, “Ta denoncojnë ata që japin lek”, “Të mos japin lek qytetarët” apo dhe mbrojtësit e kompleksuar “hë mo se vetë i kemi mësuar ne”…

Besoja se statuja do më jepte një përgjigje për të dalë nga “udhëkryqi” im. Ndaj gërmova pak dhe mësova se statuja interesante kishte një emër dhe quhej “Zonja Drejtësi”.

“Zonja Drejtësi” ishte një simbol i njohur i sistemit të drejtësisë. Ajo mban me krenari peshore, e cila paraqet peshimin e provave. Në këmbët e saj është një gjarpër që përfaqëson të keqen dhe një libër që përfaqëson Kushtetutën nga e cila lind dhe ku mbështetet sistemi i drejtësisë. Ajo gjithashtu mban një shpatë për të përfaqësuar dënimin. Shpata është gjithmonë më e ulët se peshorja, sepse ndëshkimi mund të ndodhë vetëm pasi të peshohen provat. Pastaj është lidhja e syve. “Zonja Drejtësi” gjithmonë mban lidhur sytë e saj. Lidhja e syve përfaqëson sistemin e drejtësisë i cili duhet të jetë i verbër ndaj pasurisë, fuqisë, gjinisë dhe racës së një personi.

“Zonja Drejtësi”, statuja, jo kjo e jona që është “K… Drejtësi”, vërtetë u jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve dhe të nxjerr nga dilema “Guilty or Not Guilty” e secili mund ta shohë e ta lexojë me mendjen e vet, me ndërgjegjen e vet, pse jo dhe me kompleksin e vet.
Martin Luther King Jr. thoshte: “Padrejtësia diku është një kërcënim për drejtësinë kudo.”

Historia e doktorit, lidhur me doktorin, mbaron këtu.

…vijimi lidhet më pas me fajin e të tjerëve, qeverisjes, sistemit, shoqërisë po deshët, e me rradhë.
Sepse për mua, ajo që doktori ka dashur, ka qenë të bëhej doktor.

Artikulli paraprakPD: E vetmja mënyrë për të shëruar Shqipërinë është largimi i Ramës më 25 Prill
Artikulli tjetërRama fut Shqipërinë në listën e zezë të Europës për vaksinimin