Lahm zyrtarizon tërheqjen nga futbolli

Pas Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Ronaldinhos, të cilët i dhanë fund futbollit të luajtur, një tjetër kampion i madh pritet t’i japë lamtumirën këtij sporti në fund të këtij sezoni. Ai është kapiteni i Bajern-it dhe njëkohësisht njeriu që ngriti që qiellin e Rio de Janeiros, Kupën e fundit të Botës që fitoi Gjermania. Më 2014-tën, Philip Lahm, menjëherë pas Botërorit të fituar në Brazil u tërhoq nga kombëtarja e pancerave, ndërsa pas disa muajsh në verën e vitit 2017, ai do të varë përfundimisht këpucët në gozhdë. Lahm ka komunikuar zyrtarisht se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet nga futbolli.
Një lajm i papritur dhe jo pak i dhembshëm ky për tifozët e Bajern-it të Mynihut dhe ata të kombëtares gjermane, të cilëve u kanë mbetur edhe vetëm pak muaj për të shijuar magjitë që dhuron Lahm në fushë. Në moshën 33-vjeçare pavarësisht se ka një kontratë që i skadon në vitin 2018 me skuadrën bavareze mbrojtësi i krahut të majtë, por që përshtatet në disa role, do t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Lahm-it si një ikonë e Bajern-it i është propozuar pozicioni i drejtorit sportiv te kampionët e Gjermanisë, por lojtari ka bërë me dije se nuk do të marrë atë rol, pasi nuk është momenti i duhur për të që të ketë një detyrë të tillë në klub. Kapiteni i Bajern-it ka arritur kuotën e 500 paraqitjeve në karrierë dhe tashmë do të ketë si objektiv kryesor të fitojë një tjetër Champions League me Bajern-in. Me një trajner si Ancelotti në drejtim asgjë nuk është e pamundur, sidomos për një lojtar si Philipp Lahm që gjithmonë jep shpirtin në fushën e lojës.

Exit mobile version