Lajçak: Retorika e Ramës rrit problemet

Sllovakia është shteti i radhës i BE-së që reagon kundër deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Hashim Thaçi për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse dy vendeve u mbyllet dera nga BE. Në një opinion të publikuar në gazetën serbe “Danas”, ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak shkruan se, retorika e ashpër e së kaluarës, e cila po përdoret aktualisht në Ballkanin Perëndimor, nuk i zgjidh problemet, por i shtyn përpara ato. Lajçak shkruan se pavarësisht BE ka dhënë një vizion të qartë për rrugën e Ballkanit Perëndimor, atje vazhdon të ekzistojë një “nacionalizëm i rrënjosur thellë”, si dhe thirrjet për “shtete të pastra etnike dhe bashkimi i kombit në një flamur të përbashkët me shqiponjën me dy krerë, duhet të shihet si një apel për BE-në të pranojë rolin e arbitrit në mënyrë më deçizive”. Në artikullin e tij, Lajçak shpjegon se BE ka dëshirë të besojë në përpjekjet e qeverive të rajonit për të përmbushur kushtet e nevojshme për anëtarësim, por kjo situatë nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si një shantazh. Referuar retorikës së Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, Lajçak shkruan më tej: “Edhe pse alarmante, kjo është rezultat i përpjekjeve për të bindur Ballkanin Perëndimor në rolin tonë të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve”. Në këtë situatë, ministri sllovak nuk sheh si zgjidhje anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por rritjen e rolit të Brukselit në këto shtete, duke krijuar madje edhe grupe të specializuara. Kreu i Komisionit Europian, Johannes Hahn, dhe ministri i Jashtëm i Estonisë, kanë kritikuar gjithashtu deklaratat e Ramës dhe Thaçit. Dy ditë më parë, Komisioneri i BE-së për Zgjerim e Negociata, Johannes Hahn, është shprehur  se u “dëshpërua shumë” me deklaratat e disa liderëve në Ballkan. Hahn deklaroi se, çmimin më të lartë mund të paguajnë vetë ata që i kanë shprehur këto ide. “Dua të shpreh dëshpërimin tim, madje edhe zemërimin, me deklaratat e disa liderëve në rajon. Mesazhet e tilla mund të kuptohen si përzierje në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kanë për synim ndryshimin e kufijve, që nuk është e pranueshme”, theksoi Johannes Hahn.

Artikulli paraprakFirma private e Adriatik Zotkajt, 170 mijë USD pa paguar në OSHEE
Artikulli tjetërPollo: Ndërkombëtarët po e kuptojnë se në këto kushte s’mund të ketë zgjedhje