Lajm i mirë për Silvinjon, rikthehet mesfushori i skuadrës së Serisë A

Ndeshja e Leçes në shtëpi me Bolonjën pa nga minuta e parë Ylber Ramadanin, mesfushorin e Kombëtares shqiptare i cili u rikthye titullar nga trajneri Xhampaolo. Por, jo vetëm Ramadani, pasi kjo sfidë ishte edhe një ogur i mirë edhe për Medon Berishën.

Futbollisti 21-vjeçar i cili shihet nga Silvinjo si e ardhmja e mesfushës kuqezi, ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në fushë.

Një lajm i mirë ky për ekipin kombëtar, pasi Berisha vuante nga një dëmtim muskulor, çka e la jashtë skuadrës së tij për 6 ndeshje të kampionatit italian, ndërkohë që ai sapo kishte filluar të aktivizohej titullar nga trajneri Marko Xhampaolo.

Medoni mori 10 minuta në takimin kundër Bolonjës që përfundoi në barazim. Ai me shumë mundësi do të jetë në listën e trajnerit të Kombëtares për ndeshjet e muajit mars. Shqipëria do të nisë kualifikueset në transfertën kundër Anglisë më 21 mars dhe tri ditë më vonë do të presë Andorrën në Tiranë.

Exit mobile version