Lala: Çdo person i përmendur në dokumentarin e Rai 3 duhet të hetohet nga prokuroria

Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN u shpreh se emrat që përmend dokumentari i Rai 3 duhet të hetohen nga prokuroria shqiptare.

Teksa shtroi të gjitha arsyet përse secili duhet hetuar, Lala tha se veçanërisht Luftar Hysa duhet të hetohet pasi në deklaratat e biznesmenit dhe të kryeministrit vihet re një kundërshtim në to lidhur me takimin e tyre në kryeministri.

“Ahmetaj ka thënë akuza të rënda, nëse krahu i djathtë i Ramës deri dje, del sot dhe hedh këto akuza të rënda atëherë sot si gazetare kam të drejtë të dyshojë.

Dokumentari i Rai3 në pjesën e parë përmendte dhe emra të tjerë. Në atë kohë thoshte që Agaçi është i lidhur me grupe kriminale, por nuk sqaronte që nëse ai ka mbrojtur një kriminel në Itali dhe ai ka ardhur në Shqipëri.

Çështja është a duhet prokuroria të hetojë rolin e Engjell Agaçit? Të nxjerrë emrat që ai ka mbrojtur në Itali dhe

Luftan Hysa që është një emër i dytë, unë personalisht nuk kam një dyshim që ai bën pastrim parash. Në Meksikë ka dyshime që ai pastron paratë e kartelin të Sinaloas. Hysa kur është pyetur për takimin me Ramën jep një version tjetër ndryshe nga kryeministri.

Ergys Agasi akuzohet nga Ahmetaj si ndërmjetës për takimet e Ramës me bosët e krimit. Duhet hetuar nga erdhi ky njeri dhe kur u bë i rëndësishëm.”

Ndërsa lidhur me ndërtimin e kullave të Tiranës u shpreh se ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik droge dhe se autoritetet kanë mbyllur sytë përpara kateve pa leje në qendër të Sheshit “Skënderbej”.

“Jemi narko-shtet dhe e kam thënë dhe vite më parë dhe këtë e tregojnë hetimet që po kryhen ku në çdo hetim kemi një grup kriminelësh dhe zyrtarë të lartë dhe emra politikanësh. Nuk kemi ashpërsinë e Meksikës sepse s’kemi popullsinë e tyre por në raport me mënyrën se si funksionojnë institucionet, po kemi narko-shtet.

Problemi është se ne kemi në çdo operacion të fundit të SPAK që na rezulton nga një zyrtar i përfshirë në këto grupe kriminale. Pse nuk jemi narko-shtet ne tani kur kemi kaluar nga kanabisi te kokaina. Në Shqipëri kemi thjeshtë një kryeministër që është i plotfuqishëm, i gjithë pushteti i përqendruar në dorën e Edi Ramës përfshirë dhe ne median, dhe problemi është se të gjitha këto detaje dhe nuanca na vendosin te një narko-shtet.

Sa u përket kullave, duhet të ketë vullnet nga institucionet e drejtësisë për të hetuar. Kompanitë marrin leje ndërtimi dhe ka leje të rritura në mënyrë eksponenciale, pa fund leje ndërtimi. Papritmas sheh në mes të Tiranës, dhjetë kate pa leje. Institucionet nuk janë asgjëkundi.

Mu në Sheshin “Skënderbej” ngrihen shumë kate pa leje. Zyrtarët mbyllin sytë dhe nuk shohin që në kullën “Syri i Tiranës” janë shumë kate pa leje. Të gjithë kanë heshtur. Mjafton që një prokuror ta çelë këtë hetim, se kush janë zyrtarët që e kanë lejuar. Ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik drogë.”

Exit mobile version