Ish-mesfushori legjendar i Chelseat, Frank Lampard, e ka këshilluar klubin londinez që t’i respektojë dëshirat e Eden Hazardit kur vjen fjala te afati kalimtar i verës. Sipas Lampardit, Chelsea nuk duhet t’ia bllokojë rrugën belgut nëse ai dëshiron të largohet.
Spekulimet se 28-vjeçari Eden Hazard do të transferohet në Real Madridi këtë verë janë intensifikuar edhe më shumë tani që sezoni është shumë afër fundit dhe së shpejti do të hapet afati kalimtar i verës, transmeton Gazeta Express.
Hazardi nuk e ka lënë aspak sekrete dashurinë e tij për Real Madridin dhe e ka pranuar se dëshiron ta testojë veten në Spanjë në mënyrë që ta ketë më të lehtë ta fitojë Topin e Artë.
Ai po i afrohet 12 muajve të fundit në kontratën me Chelsean dhe nuk ka treguar asnjë shenjë se dëshiron ta pranojë ofertën e klubit anglez për ta rinovuar kontratën.
SI rezultati i kësaj, Chelsea e ka para vetes në vendim të madh sa i përket të ardhmes së Hazardit. Situatën e komplikon dënimi i FIFA-s që ia pamundëson Chelseat të transferojë lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare.
Legjenda Frank Lampard beson se “The Blues” duhet ta lejojnë yllin e tyre të largohet, nëse ai e dëshiron një gjë të tillë, pasi i qëndroi besnik Chelseat për shtatë vjet.
“Unë do të thosha se gjatë shtatë vjetëve këtu, Eden Hazardi e ka ngritur veten në nivelin e lojtarëve më të mirë në histori të Chelseat, pa asnjë dyshim, sa i përket gjërave që ai i ka bërë në fushë”, ka thënë Lampard.
“Do të ishte një fatkeqësi për Chelsean dhe për Premierligës që ta humbasin një lojtar si ai. Por, ne duhet t’i kuptojmë edhe dëshirat dhe nevojat individuale në fushë dhe gjërat që i dëshirojnë lojtarët”.
“Unë e njoh Edenin dhe më pëlqen ai. Do të bëja çfarëdo që ai dëshiron”.
Hazardi i ka bërë mbi 350 paraqitje për Chelseat, gjatë të cilave i ka shënuar 108 gola. Gjatë kësaj kohe, ai i ka fituar dy tituj të Premierligës, një titull të League Cup, një titull të FA Cup dhe një titull të Ligës së Evropës.