Lampard-Xherrard rikthim në Angli?

Përfundon zyrtarisht aventura e Frenk Lampardit dhe Stivën Xherrardit në futbollin amerikan. Dy mesfushorët anglezë u kanë dhënë lamtumirën klubeve përkatëse pas përfundimit të kontratave. “Jam i lumtur që pata mundësi të luaj në këtë qytet kaq të mrekullueshëm”, deklaroi 38-vjeçari Lampard, i cili përshëndetet me Nju Jork Sitin pas një sezoni e gjysmë.
Ndërkohë Xherrard, 36 vjeç, ka zgjedhur profilin në Instagram për të njoftuar largimin nga Los Anxheles Galaksi. “Do të më mungosh, Los Anxheles”, shkruan ish-kapiteni i Liverpulit.
E ndërsa largimi i tyre nga Shtetet e Bashkuara tashmë është fakt i kryer, ende e paqartë mbetet e ardhmja në futboll. Para disa javësh mediat angleze flisnin për një propozim të Federatës së Futbollit për një kurs të përshpejtuar dyvjeçar e më pas të dy të merrnin drejtimin e kombëtares.
Teksa Lampard, gjithnjë sipas mediave në ishull, dukej më i prirur për ta pranuar propozimin, Xherrard është duke kërkuar një klub të fundit para se t’i varë këpucët në gozhdë. Në media qarkulloi emri i Sëlltikut, si dhe mundësia për t’u rikthyer te Liverpuli në stafin e trajnerit Jurgen Klop.

Exit mobile version