Shënon gola decizivë, ka vullnet të hekurt dhe dëshirë për të “ndarë” në dysh botën. Lapadulës nuk i është dashur kohë në dispozicion që të fitojë zemrat e tifozëve të Milanit. Sulmuesi që bëri hapin e madh (kaloi në Serinë A) vetëm në moshën 26-vjeçare është emblema e shoqërisë kuqezi, e cila, ashtu si ai, po tenton që të ngjitet në elitën e futbollit…
-Në ditët e fundit, ke qenë përcaktues për Milanin, por sërish nuk kemi parë shenja mendjemadhësie…
Sigurisht që tani po kaloj kohë të bukura, por mua më duhet të them se kam përjetuar kohë edhe më “të rëndësishme” në të shkuarën. I referohem kohës, kur isha i dëmtuar dhe kur disa mendonin se nuk bëja për Milanin. Në ato çaste kam kuptuar se po vinte koha ime.
I pari që të ka ndihmuar ka qenë Masimo Odo (trajneri që e stërviti te Peskara).
E telefonoj shpesh. I kam shumë borxhe, pasi më ka ndihmuar shumë vitin e kaluar. Nëse u transferova në Serinë A vetëm në moshën 26-vjeçare do të thotë se nuk kam qenë gati që të bëja një hap të tillë më parë.
-Kush është personazhi yt i preferuar?
Kur isha i vogël pashë “Braveheart” (film i ndërtuar rreth patriotit dhe të heroit popullor skocez, Uilliam Uollas, i cili luftoi kundër tiranisë angleze) dhe nuk e di si m’u fiksua. Deri më tani e kam riparë edhe 100 herë të tjera atë film. Ai rol më pëlqen shumë.
-Si e komenton aktivizimin tënd në derbi?
Mezi prisja që të futesha. Trupi më kishte mbledhur shumë adrenalinë dhe brohoritjet e tifozëve në momentin që u futa ishin diçka që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Më vjen keq që nuk e fituam atë takim.
-Të dielën u konfrontove me Niangun për shkak të penalltisë…
Vitin e kaluar nuk kam ekzekutuar asnjë penallti, por të dielën doja që ta godisja unë topin, pasi kisha dëshirë të shënoja në “San Siro”. Për fatin e keq bëra diçka që nuk duhej bërë, pasi kështu futa në telashe edhe Niangun. Ai është caktuar nga grupi që të godasë penalltitë dhe nuk ishte e drejtë që të shkoja t’i kërkoja topin.
-A mund të na tregosh mënyrën si u transferove te Milani?
Më kanë kërkuar shumë skuadra, mes tyre ishte edhe Napoli. Por unë vendosa që të transferohesha në Milano. Ishte një vendim që mora brenda pak minutash.
-Sigurisht që ke marrë parasysh edhe konkurrencën e madhe. Çfarë raporti ke me Bakën?
Kam raport të mirë, ashtu si me të gjithë sulmuesit e tjerë.
-Që pas largimit të Inzagit, fanella me numër 9 është kthyer në një mallkim për sulmuesit…
Unë doja numrin dhjetë, por ishte i zënë kështu mora 9-ën.
-Çfarë trajneri është Montela?
Nuk është e lehtë të stërvitësh një ekip si Milani. Ardhja e tij në pankinën zikaltër u pasua nga bashkimi i grupit të lojtarëve. Sot Milani ka dhe një identitet të qartë. Kemi shanse për titullin.
-Çfarë i ke zili Ikardit?
Lëvizjet, mendoj se është një sulmues i madh pasi sulmon shumë në thellësi.