Analisti Namir Lapardhaja deklaratën e të ngarkuarës me punë në Tiranë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk negociojnë me asnjë person “non grata”, e sheh në vijim të qëndrimeve të politikës amerikane.
Duke folur për “MCN Informacion”, ai tha se deklarata e ambasadës amerikane ka ardhur në vazhdimësinë e anonçimit të Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, deklarata e ambasadës së SHBA nuk i drejtohet Sali Berishës apo mbështetësve të tij por se në raport me të shpallurit “non grata”, politika amerikane është e pandryshueshme dhe fton shqiptarët të mos joshen dhe gënjehen me ata që Amerika i ka shpallur “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
“Deklarata e SHBA në vijim të qëndrimeve të 20 viteve të fundit me të gjithë personat e shpallur “non grata”.
Në Shqipëri “non grata-n” e identifikojnë me emrin e Sali Berishës.
Por “non grata” është një mekanizëm që në 20 vitet e fundit vepron në Ballkanin Perëndimor qoftë për politikanë, biznesmenë, persona të lidhur me pushtetit dhe në këto vite nuk ka pasur asnjëherë revokim të shpalljes “non grata”.
Ky mekanizëm nuk është vetëm për Shqipërinë por për krejt Ballkanin Perëndimor.
Bashkëpunëtorët e afërt dhe rrethi i ngushtë i Berishës e di që “non grata” nuk mund të hiqet kaq thjeshtë.