Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi familjet e përmbytura në fshatin Rrushkull në Durrës, ku mbi 15 shtëpi ndodhen ende nën ujë dhe baltë prej 2 javësh. Familja e Aziz Totës me 3 fëmijë të vegjël është ndër më të goditurat, e cila jeton me pak tokë, ndërsa përmbytja i ka shkatërruar çdo mall që kishte. Kryefamiljari Tota i tha Bashës se nuk e ka vizituar asnjë zyrtar dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria apo pushteti lokal.
Aziz Tota: Jam pa punë dhe pa asnjë mbështetje. Jam invalid.
Basha: Të ka ardhur dikush për ndihmë?
Aziz Tota: Jo askushi. Ju jeni i pari që keni ardhur. Prej dy javësh s’ka ardhur askush. As nga Bashkia as nga qeveria.
Basha: Ne kemi ardhur këtu t’u shohim dhe t’u themi që qendrojmë afër jush. I prekim dhe i ndjejmë hallet tuaja dhe hallet tuaja do të jenë shqetësimi kryesor i qeverisjes të së nesërmes. Këtu do të vijmë prap për t’i rregulluar këto kanale, edhe për t’u gjendur prapë për të zëvendëndësuar sado pak vlerat materiale të dëmtuara, por mbi të gjitha do të jetë një qeveri që do të jetë afër jush. Nuk do u braktisë. Nuk do u lerë vetëm. Prioritet do të jetë të investojmë në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Prioritet do të jetë të bëjmë këto rrugë, të ndërtojmë shkollat për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve tuaj. Këto do të jenë prioritetet e qeverisjes që është afër jush. Kjo qeveri që është larg jush ju ka braktisur me mendje dhe ndaj nuk vjen as me trup këtu t’u shohë, sepse nuk u llogarit më. Nuk mendon më për ju. Unë për këtë ju jap fjalën që qeveria ime, qeveria e ardhshme, në radhë të parë do t’u ketë ju në qendër të vëmendjes. Do të jetë qeveria juaj. Do të jetë qeveria e njerëzve.
Kryetari Basha u takua edhe me fermerë të këtij fshati dhe të zonës së Sukthit, të cilët vuajnë mungesën e titujve të pronësisë, investimeve në infrastrukturë dhe mungesën e plotë të subvencioneve në bujqësi.
“Jemi të varfër dhe nuk i përballojmë çmimet. Bujqësia është jashtë përdorimit. Asnjë kanal nuk funksionon. Rrugët janë copë”, u shpreh një prej fermerëve.
“Ju jap fjalën se siç kam ardhur sot këtu dhe siç ju kërkoj që të vetë ndërgjegjësohemi për nevojën për t’u ngritur dhe për t’u përballur, si kryetar i opozitës, nesër nuk do ju braktis”, tha Basha.
Banorët e zonës kërkuan garanci për votën e lirë për të zgjedhur lirshëm një qeveri tjetër, për të larguar të inkriminuarit nga politika dhe administrata e shtetit dhe për një qeveri pranë tyre.
Banor: Eshtë kthyer në diktaturë ndaj dhe duhet të mblidhemi të gjithë dhe të fitojmë. Të qërojmë gangsterët nga pushteti.
Basha: Kjo është zgjidhja.
Banor: Duhet liri vote. Nëse nuk garantojmë lirinë e votës asgjë nuk është e garantuar
Basha: Ajo garantohet, duke larguar këtë kryeministër. Sepse me këtë kryeministër dhe këtë ministër të Brendshëm nuk ka liri vote.
Banor: Duhet të bashkohemi të gjithë. Nuk ka gjë më të fortë se bashkimi në dinjitet njerëzor. Partia është parti, njerëzit janë njerëz, burrat janë burra. Nëse i jep besën e burrave këtij populli të tërë burrat i ke me vete. Nëse jepet besë partie, ato ikin e vijnë. PD, pastë faqen e bardhë për çfarë ka bërë. E ke thënë që gabime ka mjaft dhe të përgëzoj për ato që ke thënë. Të këshilloj që në momentin që do marrësh pushtetin, mos shih njerëzit që të lustrojnë. Shih hallet e popullit dhe shihe drejt në sy siç po e sheh sot dhe do të ecësh para tij dhe bashkë me ty të gjithë ne bashkë.
Basha: Të lumtë goja. Për këtë të jap fjalën.