Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi gjatë një konference për mediat se, Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm dhe të përballet me drejtësinë.
Në këtë situatë duhej që ndaj vetë Fatmir Xhafës të kishte nisur një hetim i gjithanshëm nga Prokuroria.
1. Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet së pari hetimit të ligjit antimafia për pasuritë si familjar i personave me aktivitet mafioz.
2. Së dyti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave, vëllai i tij Agron Xhafaj i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia Italiane me 7 vjet e 2 muaj nuk ka bërë asnjë ditë të vetme burg, as në Itali dhe as në Shqipëri.
3. Së treti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave Agron Xhafaj i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit.
4. Së katërti, duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, që mundësojnë vazhdimin e aktivitetit kriminal të Agron Xhafaj.
Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës.
Prandaj Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm.
Shqipëria nuk mund të përballojë dot të shkojë nga një ministër i brendshëm i drogës tek një ministër tjetër i brendshëm i drogës.
Fatmir Xhafaj refuzoi që vetingu në polici të fillonte nga ai vetë dhe tani është e qartë pse nuk e pranoi këtë.
Tani është momenti që të largohet si Ministër që t’i nënshtrohet ligjit anti-mafia.
Heshtja ndaj drogës dhe krimit, ndaj politikanëve të lidhur me krimin ndihmon vetëm krimin dhe politikanët e lidhur me të, jo Shqipërinë.
Në emër të Partisë Demokratike, në emër opozitës, kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm.