Largimet e padrejta nga administrata, vendimet e gjykatave mbetën zvarrë në 2024-n për 134 raste

Pavarësisht se gjatë vitit 2024 kishte 1760 pozicione të lira në shërbimin civil, vendimet e formës së prerë të gjykatave që kërkojnë rikthimin në punë të 134 personave nuk arritën të respektoheshin.

 

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil raportoi se institucionet dhe njësitë përgjegjëse kanë pasur hapësira për të sistemuar këta punonjës në pozicion të rregullt por kjo nuk ka ndodhur.

“Në momentin e verifikimit në subjekt kanë rezultuar të paekzekutuara 134 vendime gjyqësore të formës së prerë. Pa dyshim që një vonesë në ekzekutimin e një vendimi mund të justifikohet në rrethana të veçanta, por vonesa nuk mund të jetë deri në atë shkallë sa të dëmtojë thelbin e së drejtës.

Ligji parashikon se afati për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë është deri në një vit dhe llogaritja e këtij afati fillon nga momenti i komunikimit të titullit ekzekutiv, deri në zbatimin e të gjitha urdhërimeve të vendimit gjyqësor të formës së prerë” thuhet në raport.

Komisioneri gjykon se një situatë si kjo duhet të ndërgjegjësojë institucionet për pasojat që ka zvarritja e vendimeve të gjykatave që kanë marrë formë të prerë pasi dëmi financiar që i shkaktohet buxhetit të shtetit është i konsiderueshëm. Në kushtet aktuale, punonjësit po paguhen por nuk ofrojnë shërbime.

“Në këtë kuptim, një realizim i plotë i detyrimit është jo vetëm në favor të kreditorit për të realizuar të drejtën e tij të fituar nga një vendim gjyqësor, por i shërben edhe administrimit sa më të mirë të buxhetit të shtetit” nënvizon Komisioneri.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i vendimeve gjyqësore të formës së prerë të mbartura deri në fund të vitit 2024 është 189 raste. Rezulton se, për periudhën 03.01.2023 deri në 31.12.2024, institucionet e administratës shtetërore kanë mundur të ekzekutojnë vetëm 55 vendime ose 29.1 % të rasteve.

Duke analizuar të dhënat e administruara, rezulton se, gjatë periudhës 2023-2024, nga 116 institucione të administratës shtetërore të mbikëqyrura, kanë pasur detyrimin për të ekzekutuar vendime gjyqësore të formës së prerë 18 prej tyre, ku bëjnë pjesë 10 ministri dhe 8 institucione varësie, ndërsa 98 institucionet e tjera, kanë raportuar se nuk kanë vendime gjyqësore për ekzekutim./ Monitor

Exit mobile version