Partia Demokratike i cilësoi si sukses imagjinar deklaratat e Ramës se, falë reformave të qeverisë numri i investitorëve të huaj është rritur dhe klima e biznesit është përmirësuar. Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Enno Bozdo përmes një deklarate për mediat, ndërsa tha se situata aktuale në lidhje me investitorët e huaj është dramatike, theksoi se vetëm largimi i Ramës do të tërhiqte sipërmarrësit e huaj në vend.
“Rama këndon si gjel në majë të plehut: si rezultat i rritjes së taksave dhe përkeqësimit të klimës së biznesit, investitorët e mëdhenj kanë braktisur vendin.
Investimet e Huaja Direkte kanë rënë këtë vit me 40%. Dhoma amerikane dhe ajo gjermane e Tregtisë shprehen se klima e biznesit është përkeqësuar në pikiatë. FMN deklaron se politika e taksave të larta progresive ka dështuar plotësisht dhe koncesionet korruptive i kanë marrë frymën ekonomisë. Ndërsa Rama mburret me një projekt dhe një investitor që i takon qeverisë të mëparshme.
Në sektorin e hidrokarbureve Bankers u detyrua nga kjo qeveri të ndërpresë prodhimin dhe në fund të largohet. Shumë multinacionale të tjera kanë mbyllur zyrat dhe po largohen me shpejtësi nga Shqipëria. Ndërsa inkurajojmë Shell dhe e mbështesim plotësisht për investimin dhe besimin që ka në suksesin e projektit, theksojmë se vetëm largimi i Ramës do të mundësojë ardhjen e investitorëve dhe kthimin e Shqipërisë në një vend tërheqës për investimet e huaja”, tha Bozdo në një deklaratë për mediat.