Menjëherë pas publikimit të emrit të tij, si personi që ka përmendur emrin e Emiljano Shullazit, Mitri Prifti, ky që shihni në këtë foto, është larguar nga Shqipëria. 32–vjeçari nga Kuçova është kushëriri i ndërtuesit Jani Zaka, edhe ky, që shihni në këtë foton tjetër, i larguar jashtë Shqipërisë pak ditë pasi deklaroi se Shullazi e kishte kërcënuar për t’i marrë parkingun nëntokësor prej 1.200 metrash katrorë, në rrugën “Sali Butka”, pranë Policisë Bashkiake. Deklarimet ata i dhanë më 3 shkurt të këtij viti. Televizioni “Klan” publikoi dje se Mitri Prifti është nisur nga Aeroporti i Rinasit gjatë natës. Ai ka marrë një fluturim të orës 3:32 drejt një kryeqyteti të një vendi të Ballkanit. Ende nuk dihen arsyet e largimit të menjëhershëm të Priftit nga Shqipëria, por dyshohet se kjo ka qenë një masë sigurie e ndërmarrë prej tij. Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin. “Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11:00, tek Nesheraku. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të presë ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës ‘Globe’ dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”. Pas këtij takimi, Jani Zaka dhe kushëriri i tij marrin një tjetër kërcënim. “Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. dhe më thotë: Mario ti je? – unë i them – po, kush je? Më thotë jam Blerim Shullazi, i thuaj kushëririt tënd Jani të vijë për dy minuta tek lokali, se përndryshe do vish ti në vend të tij. Unë i kam thënë se, nuk kam si t’i them se nuk kam numër të tij dhe nuk kam përse të vij se nuk kam përgjegjësi për kushërinjtë e mi. Personi filloi të më ofendonte dhe të më kërcënonte, duke më thënë se, ‘o djalë do të më qash me duar, e di çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu’, por unë i kam thënë se nuk vij, se nuk jam në Tiranë dhe i kam mbyllur telefonin. Personi më ka marrë përsëri në telefon dhe më ka thënë, ku je se do të vij unë. Dhe unë i kam thënë, as dua të të njoh dhe as dua të më njohësh. Personi më tha në çfarë ore vjen në Tiranë dhe unë i kam thënë se vij në orën 19:00, por ai më tha në orën 17:00 të jesh tek lokali, pasi jam unë që i përcaktoj oraret dhe jo ti dhe duke më sharë, më mbylli telefonin”. Një muaj më pas, më 13 mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli. Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe Prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zaka ishte larguar, ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen. Policia, më datën 09 shkurt, materialet hetimore – proceduriale ia kishte dërguar Prokurorisë për Krimet e Rënda me materialin referues, deklarim të Jani Zakës dhe Mitri Priftit, për vlerësim dhe cilësim të saktë juridik. Rreth 40 ditë pas kanosjes, në portën kryesore të parkingut shpërtheu një sasi eksplozivi. Aktualisht, të dy personat që kanë bërë deklarimet në polici kundër Shullazit, ndodhen jashtë vendit, në pamundësi për t’u pyetur nga Prokuroria.
Kryesore
Continue to the categoryPërse progres-raporti i BE nuk flet për arrestime politike në Shqipëri?
Nga Ervis Iljazaj
Në mediat shqiptare sot është publikuar progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2024. Ky progres raport hedh poshtë të gjitha...