Milan Skriniar është një nga blerjet më të suksesshme të këtij sezoni, teksa me formën e tij të mirë ka ndihmuar Interin në ecurinë pozitive të fillim-sezonit. Mbrojtësi i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij, ndërsa po befason edhe me rolin si shkatërrues, ku është provuar shpesh te kombëtarja sllovake. Skriniar ka përfunduar në radarët e disa skuadrave të mëdha europiane, mes të cilave Barcelona, që po tregon një interes të fortë, për mbrojtësin zikaltër.
“Nuk di asgjë për interesin e Barcelonës dhe nuk dua t’ia di. Për momentin, në mendjen time është vetëm Interi dhe bashkë me djemtë e tjerë, duam ta rikthejmë këtë skuadër atje ku e meriton të jetë”, tha sllovaku.
Mbrojtësi zikaltër foli edhe për takimin e të dielës në mbrëmje, ku në ‘San Siro’ do të vijë Atalanta, ndërsa tifozët do të mbushin sërish shkallët e stadiumit. “Me Atalantën nuk do të jetë aspak e lehtë, por duhet të fitojmë për të ruajtur ecurinë pozitive dhe për të shpërblyer tifozët, që po tregojnë një besim tepër të madh ndaj nesh. Po përgatitemi si duhet dhe jemi të gjithë gati të kthehemi te fitorja, që të dielën në mbrëmje”, u shpreh qendërmbrojtësi i Interit.
Milan Skriniar ka shijuar shpesh edhe komplimentet publike të trajnerit të Interit, Luciano Spalletti, i cili ishte i pari që besoi te sllovaku dhe i dha një fanellë titullari. “Më vjen mirë për fjalët e Spallettit, sepse kjo do të thotë që nuk e kam zhgënjyer as atë dhe asnjë në ambientin zikaltër. Ai ishte i pari që besoi te unë dhe po na ndihmon shumë të rritemi. Duam të qëndrojmë në vendet e para të renditjes, ndonëse e dimë që do të jetë e vështirë”, deklaroi Milan Skriniar.
Ndërkohë, trajneri i Kombëtares së Meksikës, Juan Carlos Osorio, ka zbuluar si mbrojtësi i Tottenham, Davinson Sanchez, e kishte refuzuar Barcelonën, duke u bazuar në këshillën e tij. Sanchez zgjodhi të kalonte te Ajaxi dhe jo te Barcelona në bazë të këshillës së marrë nga atëherë trajneri i tij në Atletico Nacional, Osorio.
Osorio e zbuloi Sanchezin si 17-vjeçar në Kolumbi dhe i ndihmoi të zhvillohet në skuadrën Atletico Nacional. Forma e tij më pas bëri që shumë skuadra evropiane të interesoheshin për të, përfshirë edhe Barcelonën, sipas Osorios.
“Mbaj mend kur më thirri në telefon dhe më pyeti nëse duhet të shkonte në Ajax apo Barcelonë, e cila ishte e interesuar për të, po ashtu. Mendova se gjëja më e mirë për të ishte të luante futboll, dhe mbase në Barcelonë nuk do të kishte hapësirë për të luajtur, do të ishte zëvendësues. Kjo është ajo çka vendosi ai dhe shkoi në Holandë. Luajti një sezon shumë të mirë atje dhe më pas iu bashkua Tottenhamit”, ka thënë Osorio.