Las Palmas e ka ndalur Real Madridi duke barazuar 3:3 në “Santiago Bernabeu” në një ndeshje spektakolare me raste dhe gola, ku Las Palmas i bëri favor Barcelonës, e cila mbetet lidere me një pikë më shumë se ekipi i Zinedine Zidane. Real Madridi i Zinedine Zidane ka humbur pozitën e parë në La Liga. Los Blancos u ndalën në shtëpi nga Las Palmas. Mysafirët ishin duke fituar 1:3 deri në minutën e 86-të, por në skenë doli Cristiano Ronaldo që shënoi dy gola të shpejtë për rezultatin përfundimtar 3:3.
Pjesa e parë përfundoi 1:1, por në fillim të pjesës së dytë, Gareth Bale u shndërrua në fytyrë tragjike, duke u ndëshkuar me të kuq. Pas këtij kartoni të kuq, mysafirët morën në dorë ndeshjen ku shënuan dy gola të shpejtë, Viera dhe Boateng shënuan për 1:3. Me një lojtar më pak, Reali luftoi shumë deri në fund të ndeshjes dhe krejt çka arritën ishin dy golat e barazimit, që të dyja i shënoi Ronaldo, për të shpëtuar kështu nga humbja.
Marcelo është shprehur tejet i zhgënjyer pas barazimit 3:3 me Las Palmas. “Ndeshje shumë e vështirë. Duhet të përmirësojë shumë gjëra, nuk mundemi gjithmonë në këtë mënyrë të luajmë. Para ndeshjes biseduam që të mos ndodhë ajo si ndaj Villarreal, por prapë ndodhi. Las Palmas ka lojtarë të mëdhenj, në fund morëm një pikë dhe nuk e di se si”, ka thënë Marcelo.
Barcelona parakalon Realin në mbrëmjen e së mërkurës me një fitore tenistike ndaj Sportingut të Gijonit, ndërsa Reali i Madridit barazon në mënyrë të papritur në “Santiago Bernabeu” përballë Las Palmas 3-3 duke u lejuar kundërshtarëve të titullit vendin e parë me një pikë më shumë edhe pse duhet të rikuperojnë transfertën e Vigos kundër Celtas. Në një mbrëmje të veçantë që kulmoi me deklaratën bombë të Luis Enrikes, i cili deklaroi largimin nga stoli në fund të sezonit, Barcelona nuk hasi vështirësi ndaj Sporting Gijon në “Camp Nou” ku dominoi dhe arriti ta mbyllte ndeshjen me goleadë 6-1. Lionel Messi që në minutën e 9 dogji në kohë portierin mik duke shënuar golin e parë.
Dy minuta më vonë Rodriguez e devijoi topin në rrjetën e tij për të thelluar avantazhin e katalanasve ndërsa Gijon reagoi në minutën e 21 duke ngushtuar diferencën. 7 minuta më vonë, Suarez përfitoi nga një top i kthyer gabim për të trefishuar rezultatin, ndërsa me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, Francisco Alcacer shënoi edhe golin e katërt. Treshja MSN u kompletua në minutën e 65 kur braziliani Neymar realizoi golin e pestë për Barcelonën. 3 minuta nga fundi kishte kohë edhe për golin e gjashtë që erdhi nga këmbët e Ivan Rakitiç.