Karriera e Rey Manajt do të vazhdojë në La Liga-n spanjolle. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Las Palmasi e ka “prenotuar” sulmuesin shqiptar dhe gjithçka është gati për kalimin e tij në klubin e Ishujve Kanarie. Pasi mbylli gjysmën e parë të sezonit me Pescara-n në Serinë A, ku realizoi 2 gola në 12 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian, Manaj do të huazohet sërish.
Për shkak të mungesës së hapësirave te Interi, skuadra që zotëron kartonin e 19-vjeçarit, sulmuesi do të huazohet sërish në merkaton e janarit, madje për të nisur menjëherë përgatitjet me ekipin e ri. “Gazzeta dello Sport” nënvijëzon se pas “prenotimit” nga Las Palmasi, zikaltërit tashmë presin vetëm mbylljen e detajeve të fundit të transferimit të sulmuesit në kampionatin elitar në Spanjë.
Në ekipin e drejtuar nga Quique Setien, Rey Manaj do të ketë shok skuadre një emër të madh si Kevin Prince Boateng, ndërsa kuqeziut do t’i duhet të luftojë për të siguruar hapësirat e tij me spanjollin Tana, kroatin Livaja, argjentinasin Araujo dhe marokenin El Zhar. Stili i lojës së Las Palmasit, por edhe futbolli që praktikohet në La Liga mund ta ndihmojnë sulmuesin shqiptar të shfaqë potencialin e tij dhe të vazhdojë të rritet, për të menduar më tej për rikthimin si protagonist në Itali apo edhe qëndrimin më të gjatë në Spanjë. Për më tepër që skuadra e Ishujve Kanarie ka befasuar me paraqitjet e saj në fushë dhe rezultatet e arritura, ku aktualisht është në vendin e dhjetë në renditje.