Lavrov krahason Kosovën me rajonet e Ukrainës, fajëson Perëndimin për shkëputjen nga Serbia

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Perëndimin për shkëputjen e Kosovës nga Serbia, duke argumentuar se parimi i vetëvendosjes së popujve është përdorur në mënyrë arbitrare.

Gjatë “Forumit të së Ardhmes 2050” në Moskë, Lavrov deklaroi se Kosova u shkëput pa referendum dhe pa vullnetin e popullit, duke e quajtur këtë një veprim të padrejtë të Perëndimit.

Ai përdori këtë rast për të justifikuar agresionin rus në Ukrainë, duke akuzuar Europën për mbështetje të “sulmeve terroriste” dhe fushatën për shuarjen e gjuhës ruse në rajonet e Donbasit dhe Krimesë. Lavrov përmendi veçanërisht Britaninë e Madhe si një ndihmës të fuqishëm të Ukrainës në këto operacione.

“Ata u mbështetën në parimin e vetëvendosjes së popujve, në faqen e parë të Kartës së OKB-së. Përmes këtij parimi, në një situatë ku nuk kishte luftëra, as rreziqe konflikti të armatosur, ata e morën dhe e shkëputën Kosovën nga Serbia dhe thanë – është e drejta e vetëvendosjes së popujve. Edhe pse atje nuk pati referendum, askush atje nuk u vetëvendos”, tha Lavrov.

Exit mobile version