Stani: Interesa të pista pas sulmeve personale

Lazer Stani, duke folur gjate nje ceremonie festive te organizuar me rastin e 25 vjetorit te themelimit te gazetes Rilindja Demokratike, RD, organ i Partise Demokratike./r/n/r/nLazer Stani, speaks during a festive ceremony organized to mark the 25th anniversary of the founding of the Democratic Revival newspaper, RD, an organ of the Democratic Party.

– Zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese Partinë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike është humbësja e madhe e këtyre zgjedhjeve. Cilët mendoni se ishin faktorët që sollën një humbje kaq tronditëse të Partisë Demokratike?
Mendoj se fitorja e zgjedhjeve nga një parti e vetme, marrja e “timonit dhe tepsisë” nga një njeri i vetëm, nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë këtyre ditëve e kam kujtuar shumë herë thënien e shkrimtarit Eduardo Galeano se, “Historia në të vërtetë nuk thotë kurrë lamtumirë. Historia thotë ‘Shihemi më vonë’”. Ne tani, si në të shkuarën tonë të hidhur, kemi në pushtet një parti dhe një njeri që i ka në dorë të gjitha fijet e pushtetit. Kjo situatë e shton seriozisht rrezikun e autoritarizmit, aq më tepër që në Shqipëri institucionet janë tepër të brishta e lehtësisht të kontrollueshme, ndërsa opinioni publik përgjithësisht i manipuluar. Përballë këtij rreziku, e vetmja garanci është opozita e fortë, e aftë të kontrollojë dhe frenojë qeverisjen në aventurat e saj, duke qenë njëkohësisht një opozitë bindëse për qytetarët, alternativë e besueshme, projekt politik konkurrues, ambicioz, i sigurtë në të ardhmen e vet. Opozita është shëndeti i një demokracie. Me një opozitë të ligur sigurisht do të kemi një demokraci shëndetligë.
Për fat të keq, rezultati dramatik në zgjedhje, ka sjellë një krizë të thellë në partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve politikanë dhe ish-politikanë të PD dhe segmente të caktuara të kësaj partie, nxituan për të gjetur fajtorin e kësaj humbjeje dhe për ta kryqëzuar atë. Një revansh barbar, primitiv, i pamëshirshëm, që më ka kujtuar turmat e ekstremistëve, që gjejnë në grua të pambrojtur dhe e qëllojnë nga të gjitha anët me gurë, duke akuzuar atë si mëkataren, pavarësisht se vetë mund të jenë njëqind herë më shumë mëkatarë.
Unë personalisht nuk e kam takuar kurrë Lulzim Bashën, përveçse ndonjë ceremonie zyrtare, nuk kemi pirë kurrë bashkë një kafe, por si njeri dhe si shkrimtar, nuk mund ta pranoj një sjellje të tillë çnjerëzore, një barbari të tillë, një primitivizëm të tillë, që në thelb nuk frymëzohet nga ideale dhe parime, po nga smira, pakënaqësi, mllefe, interesa të pista, ego personale, shpirtvogëlsi dhe vese të tjera tipike shqiptare. Padyshim, Lulzim Basha, si kryetar i PD-së, ka përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, por përgjegjësia nuk është vetëm e tij. Unë jam skandalizuar kur politikanë të lartë të PD, figura qendrore të kësaj partie, kërkuan dorëheqjen e kryetarit të partisë në mesin e fushatës zgjedhore dhe gjatë gjithë fushatës nuk punuan as një ditë të vetme për fitoren e Partisë Demokratike. Agresiviteti i tyre patologjik ndaj Lulzim Bashës në momentin më të vështirë të PD-së, tregon se ata mezi ç’kanë pritur që PD të humbë zgjedhjet. Ky nuk është moral politik dhe as moral njerëzor. Njerëz të tillë nuk mund ta ringrejnë PD-në nuk mund ta rikthejnë atë në parti të vlerave, në parti të së ardhmes së shqiptarëve, në parti fituese.
Nuk duhet harruar kurrë se Partia Demokratike u themelua si një parti e elitës së shoqërisë shqiptare, nga studentët dhe intelektualët dhe se në rrugën e saj drejt fitores së parë të madhe pati mbështetjen e pothuajse gjithë inteligjencës shqiptare; shkrimtarë, artistë, profesorë, doktorë, akademikë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë, që nuk ishin ndotur gjithaq nga diktatura dhe të gjithë e kishin vuajtur mungesën e tmerrshme të lirisë. Në diskursin e 27 viteve Partia Demokratike ka patur ulje-ngritjet e saj dhe sigurisht edhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm në çdo arritje të rëndësishme të Shqipërisë në këto vite. Pikërisht për këtë PD është një aset i çmuar kombëtar, që me çdo kusht duhet ringritur fuqishëm.

– Kundërshtarët e akuzojnë Lulzim Bashën se me Republikën e re nxori nga skena Partinë Demokratike dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale. Ju si mendoni?
As njëra as tjetra. Mendoj se Republika e re e propozuar nga z. Basha ishte projekti më i mirë politik që u është ofruar ndonjëherë shqiptarëve në këto vite. Kam lexuar para disa vitesh programin politik të CDU-së dhe gjithmonë kam menduar se një program i tillë i përshtatur për Shqipërinë, do të ishte zgjidhja më e mirë për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë, për një Shqipëri ekonomikisht, kulturalisht dhe shoqërisht të zhvilluar, moderne dhe perëndimore, ku qytetarët jetojnë të lirë dhe në mirëqenie, gëzojnë të drejta dhe marrin përgjegjësi, kanë mundësi të zhvillojnë potencialet e tyre njerëzore dhe krijuese. Projekti i Republikës së re i hartuar dhe i konsultuar edhe me ekspertët gjermanë të CDU-së dhe Fondacionit Konrad Adenauer, pikërisht atë frymë kishte, atë përmbajtje në tërësinë e vet.
Për fat të keq kjo nuk u arrit të perceptohej masivisht nga votuesit e djathtë dhe shqiptarët, qoftë për shkak të kohës së shkurtër, qoftë edhe për keqinterpretimet që iu bënë nga kundërshtarët dhe rivalët politikë të zotit Basha, që e interpretuan këtë projekt thjesht si një strategji për të eliminuar rivalët e vet politikë brenda partisë dhe trashëgiminë historike të PD-së, çka unë mendoj se nuk qendron.
Republika e re mbetet një projekt politik amicioz, pavarësisht se nuk u votua kësaj here, që një ditë, kur të legjitimohet me votën e shqiptarëve, do të jetë garanci për një Shqipëri të zhvilluar, moderne dhe europiane. PD nuk mund të heqë dorë nga ky projekt, që në fund të fundit ka kumbuar në zemrat e shqiptarëve që në ditën e themelimit të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, marrëveshjen politike të arritur midis zotit Basha dhe kryeministrit Rama, që garantoi pjesëmarrjen e PD-në në zgjedhje, e quaj normale. Partia Socialiste është parti shqiptare, si edhe Partia Demokratike. Dialogu politik, bashkëpunimi për çështje të mëdha me interes kombëtar dhe marrëveshjet në një shoqëri demokratike janë normale, madje të domosdoshme. Edhe kjo marrëveshje politike u keqinterpretua, nga rivalët politikë të PD-së dhe kundërshtarët e z. Basha brenda PD-së, duke e paraqitur atë si një marrëveshje bashkëqeverisjeje, çka përcolli një mesazh shumë të gabuar te publiku dhe që krijoi kosto elektorale për PD, por jo për faj të zotit Basha. Basha edhe në këtë rast mendoi e veproi si një politikan i mirëfilltë perëndimor.

– PD është përfshirë nga një krizë e thellë pas humbjes së zgjedhjeve. Cila mendoni se është rruga për nxjerrjen e PD-së nga kjo krizë dhe ringritjen e saj?
Është një moment i vështirë, por mendoj se PD do t’ia dalë me sukses të ringrihet fuqishëm, duke rikthyer shpresën te votuesit e djathtë dhe te shqiptarët. Ka vetëm një rrugë për ta ringritur PD-në: shndërrimin e saj në një institucion të fuqishëm demokratik, që garanton sa më shumë pjesëmarrje dhe ku secili anëtar ndjehet pjesëmarrës dhe kontribues. Mendoj se një proces zgjedhor i lirë, i drejtë dhe i rregullt, në përputhje me statutin mbi të cilin funksionon kjo parti, do të legjitimojë lidershipin që duhet ta mbështesin të gjithë demokratët. Le të konkurrojnë disa projekte politike brenda PD, por mendoj se secili pastaj duhet të mbështetet e të punojë për projektin politik fitues, atë që ka mbështetjen më të madhe nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Diversiteti dhe mendimi ndryshe është pasuri për një parti politike, jo arsye për konflikt dhe përçarje. Nga ana tjetër mendoj se PD-në nuk e ringrejnë fushatat negative që anatemojnë individë të veçantë dhe që këto ditë për fat të keq janë shtuar. Por le të shpresojmë se ky është vetëm një nervozizëm kalimtar dhe mendjet e turbullta do të kthjellohen shpejt. Kur fitojmë kërkojmë të jemi pjesë të gjithë, duke e deklaruar veten pjesë të fitores, qoftë edhe për votën tonë që kemi dhënë. Por edhe humbjen duhet ta ndajmë të gjithë bashkë, sado e hidhur të jetë. Nuk mund t’ia ngarkojmë atë si barrë vetëm një njeriu dhe ta shpartallojmë. Kështu e mendoj unë familjen e madhe të demokratëve.

Intervistoi: Valentina Madani

Exit mobile version