Lazio konfirmon Strakoshën titullar

Pas paraqitjeve fantastike gjatë sezonit të kaluar, Lazio konfirmon Thomas Strakoshën si portierin e parë të Lazios. Të paktën në parim, edhe sepse në futboll fanella e titullarit duhet të fitohet në fushën e lojës. Megjithatë, me talentin 22-vjeçar në portë te bardhkaltërit ndihen të sigurt dhe këtë e konfirmon fakti që Federico Marchetti nuk udhëtoi së bashku me pjesën tjetër të skuadrës për fazën përgatitore në Auronco.
Lamtumira e “gardianit” veteran nga Lazio duket gjithmonë e më pranë. Marchetti, ashtu si edhe Djordjeviç që do të transferohet te Genoa nuk u vendosën nën urdhërat e trajnerit Simeone Inzaghi. Të dy lojtarët u lanë jashtë grumbullimit nga trajneri i stolit, që konfirmoi në këtë mënyrë se ata nuk janë më pjesë e planeve të klubit për sezonin e ardhshëm.
Lënia jashtë e Marchetti-t është një tregues se Strakosha fitoi garën për të qenë portieri titullar te Lazio, duke konsoliduar pozitat e tij në skuadër pavarësisht moshës fare të re. Talentit kuqezi i mjaftoi vetëm një vit pas rikthimit nga huazimi te Salernitana që të bindte drejtuesit e klubit dhe tifozët për forcën që zotëron.
Prej debutimit më 20 shtator 2016 në “San Siro” ndaj Milanit dhe ai luajti 21 ndeshje në total gjatë sezonit të kaluar, nga të cilat 20 si titullarë, duke ofruar klas dhe garanci për Lazion. Paraqitje që u shpërblyen me faktin se tashme te Lazio e cilësojnë Strakoshën si portierin e tyre të parë.

Artikulli paraprakMasakra elektorale-2017 e ngjashme me vitin 2001
Artikulli tjetërHysaj “çmend” tifozët dhe shpreson te titulli