Lazio mendon për Kryeziun

Hekuran Kryeziu futet në listën e dëshirave të Lazios për merkaton e verës. Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, po monitorohet nga klubi italian dhe drejtori sportiv, Igli Tare, synon ta vendosë nën urdhrat e trajnerit Simone Inzaghi, për të plotësuar repartin e mesfushës, pasi Parolo dhe Luliç mbeten pikat kyçe, por synimi i trajnerit është alternimi i tyre për shkak të kalendarit të ngjeshur. I huazuar te Vaduzi nga Luzerna, 24-vjeçari që tashmë është një prej emrave titullarë të Kosovës, mund të bëjë hapin e madh drejt Serisë A.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane sipas së cilave, Kryeziu që është aktivizuar rregullisht në të gjitha skuadrat e moshave të Zvicrës, konsiderohet një alternativë e vlefshme për repartin e mesfushës bardhekaltër. Kontrata e tij me Luzernën skadon në vitin 2018 dhe Lazio mund ta transferojë në Formello pa ndonjë sforcim të madh ekonomik për rreth 2 milionë euro. Gjithashtu, po sipas mediave, nuk është venitur as mundësia e blerjes së Ledian Memushajt. Emri i mesfushorit të lindur në Vlorë po qarkullon prej kohësh në ambjentet e klubit lacial, por ende nuk është hedhur hapi i madh për ta bashkuar lojtarin kuqezi me skuadrën e Inzaghit.

Exit mobile version