3 gola për të mposhtur 3-1 Torinon në sfidën përmbyllëse të javës së 28-të në Serinë A dhe për të rimarrë vendin e 4-t në renditje. Një supergol i Keita Balde dhe një finalizim i Felipe Anderson në minutat e fundit nderuan Lazion që në “Olimpico” kaloi me shifrat 3-1 Torinon duke u ngjitur në kuotën e 56 pikëve. Bardhekaltërit parakaluan sërish Interin në klasifikim dhe mund të shpresojnë deri në fund te misioni Champions. Derbin shqiptar e fitoi Thomas Strakosha, i cili në ndryshim nga Arlind Ajeti që nuk u aktivizua, luajti gjatë gjithë 90 minutëshit duke shfaqur një formë të mirë mes shtyllave.
Pavarësisht rasteve të shumta që krijoi Lazio pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Në minutën e 56-të ishte Ciro Immobile ai që zhbllokoi shifrat për t’i dhënë avantazhin Lazios, por në të 72-tën Maxi Lopez i ardhur në fushë nga stoli ndëshkoi Strakoshën, duke ia vështirësuar gjërat skuadrës së Simone Inzaghit. Megjithatë për të qetësuar trajnerin e tij në stol mendoi Balde Keita që në të 87-tën shpiku një gol fantastik për t’i çuar shifrat në 2-1. Në të 90-tën me Torinon të gjithën përpara Lazio shfrytëzoi kundërsulmin me Felipe Anderson që mposhti edhe një herë tjetër Joe Hart-in, duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 3-1.