Veseli, i vetmi kandidat për kryeparlamentar

Partia Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e kreut të saj, Kadri Veselit dje gjatë ditës ka mbajtur takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie për të diskutuar për seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të mbledhjes para gazetarëve ka folur nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ka deklaruar se mediat kanë keqinterpretuar deklaratat e tij lidhur me kandidimin e Veselit për kryetar të Kuvendit.
Ai të mërkurën për “Express” është shprehur se, koalicioni PAN nuk ka kandidat tjetër pos Veselit për kryetar Kuvendi. Thotë se zyrtarizimin e Veselit do ta bëjnë sot.
“Duket se deklarata ime sot nuk është interpretuar drejt dhe ndoshta është nxjerrë jashtë kontekstit! Kadri Veseli e ka mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të PDK-së, si dhe të koalicionit tonë, për të qenë kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm. Kandidimi i tij do të zyrtarizohet nesër në seancë, meqë kështu edhe parashihet proceduralisht”, ka deklaruar nënkryetari i PDK-së.
“Z. Veseli është lideri që i duhet kësaj legjislature dhe nga pozita e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë të jetë shtylla e koalicionit tonë të përbashkët”, ka shtuar ai.

LDK deklaron votën kundër Kadri Veselit

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes Kryesisë mbrëmë vendosi që shef i Grupit parlamentar të saj në Kuvendin e Kosovës të jetë Avdullah Hoti. Nga kjo mbledhje, partia e dytë më e madhe në vend vendosi edhe një herë që të mos bashkëpunojë në asnjë formë me koalicionin PAN.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova në një bisedë për Gazetën Observer ka thënë se, zgjedhja e Avdullah Hotit në krye të deputetëve të LDK-së nuk ka ndonjë lidhje me të ardhmen e partisë sa i përket koalicionit të mundshëm me Vetëvendosjen.
“Nuk besoj që kjo ka lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm. Ne mbajmë të drejtën për me caktu shefin e Grupit parlamentar dhe varësisht prej situatave ai mund të ndërrohet”, tha Rugova.
Ai ka thënë se deri më tani një gjë është e sigurtë, që nuk do të ketë koalicion me PAN-in, ndërsa bashkëpunimi me LVV nuk është diskutuar.
“Vendimi i qartë i LDK-së është që nuk do të shkojë në koalicion me PAN-in. Për momentin nuk është duke u diskutuar bashkëpunimi me Vetëvendosjen, këto gjëra bëhen hap pas hapi. Ky është hapi i parë, jo bashkëpunim me PAN-in”, deklaroi Rugova.
Nënkryetari i LDK-së ka lënë të kuptohet që partia e Isa Mustafës do të qëndrojë në opozitë, sepse sipas tij këtë e deshën të gjitha partitë e tjera.
“Realisht, ata që u bashkuan që të rrëzojnë qeverinë dhe kryeministrin Mustafa, le ta bëjnë qeverinë vetë. Neve na qitën në opozitë, me një fjalë, të gjitha partitë”, theksoi Rugova.
I pyetur rreth mundësisë për ta votuar ndonjë deputet i LDK-së Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, Rugova thotë se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë. Ai tha se qëndrimi politik i LDK-së është të mos votohet Kadri Veseli, ndërsa nëse ndodh e kundërta, do ta diskutojnë brenda partisë këtë çështje për të marrë masa ndaj atyre deputetëve.

Artikulli paraprakKosova me Parlament apo drejt zgjedhjeve të reja?
Artikulli tjetërEksperti gjerman, formulë të re bashkimi Kosovë-Serbi