Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar nëpërmjet kryetarit të saj Abdixhiku, në lidhje me takimin në Shkup të tre kryeministrave serb, shqiptar dhe maqedonas, ku u ndryshuar emri i projektit të tyre nga ‘Mini Schengen’ në ‘Open Balkan’, duke e quajtur një nismë e dëmshme për shqiptarët në rajon.
‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri’, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Postimi i plotë i LDK
Qëndrimi i kryetarit Abdixhiku dhe LDK-së mbi ‘Open Balkan’
“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.
Njohja para bashkëpunimit pa kufij!
Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.
‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.
Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.
Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon.”