I ftuar në televizionin “Klan news” nga gazetarja Anjola Hamzaj, Presidenti i Institutit Liberal “Gramos Pashko”, Preç Zogaj foli për takimin e kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë. Në përgjigje të pyetjes a ishte befasuar nga pjesëmarrja e gjerë e emigrantëve në takim, Zogaj u përgjigj:
“Jo. Çdo kryeministër shqiptar mund të zhvillojë takime të tilla, nëse vendos t’i zhvillojë. Në Greqi jetojnë e punojnë rreth një milion shqiptarë. Makina e fuqishme organizative e qeverisë dhe Partisë Socialiste nuk ka vështirësi të mbledhë disa mijëra syresh nga kjo masë e stërmadhe emigrantësh, mjaft prej të cilëve kanë ruajtur përkatësitë e këtushme politike dhe ku PS ka njësitë e veta. Nga kjo pikëpamje nuk është në pyetje a mund të mbledhë njerëz kryeministri- një rezervë e sigurt janë ata që mund të marrësh nga Shqipëria- por për çfarë i thërret, çfarë do tu thuash”.
I pyetur nga moderatorja Hamzaj se si i vlerësonte mesazhet e Ramës për emigracionin dhe emigrantët shqiptarë në Greqi, Zogaj tha:
“Vura re se pjesa e fjalës së kryeministrit për emigracionin ishte gatuar me kujtime të këqija. Siç ishte për shembull evokimi i operacionit grek “Fshesa “ i para tridhjetë vjetësh, një operacion fyes në kontekstin e një acarimi mes dy qeverive të asaj kohe, por që zgjati pak dhe u arkivua përgjithmonë si kujtim i shëmtuar nga qeveritë greke në tridhjetë vitet që pasuan. Çfarë kuptimi ka, përveçse të kruhesh kot, gërmimi në një ngjarje të tejkaluar nga vetë shteti mikpritës, ngjarje që në vetvete përbën një episod në historinë e madhe të emigrimit masiv të shqiptarëve në Greqi, që ka si konstante dhe si fill të ndritshëm mikpritjen dhe bujarinë popullit grek për fqinjët e tyre të rraskapitur dhe varfëruar nga regjimi i telave me gjemba të Enver Hoxhës. Çdo takim i politikanëve të lartë shqiptarë me emigrantët duhet të nisë me një falenderim të madh për shtetin dhe popullin e vendit mikpritës”, theksoi Zogaj.
“Një tjetër pohim i “ kujtesës së keqe , thellësisht spekulativ kësaj radhe, vijoi ai, ishte mesazhi i trajtimit të shqiptarëve në ato fillime si shërbëtore, një fjalë krejt e pasaktë për natyrën dhe specikën e emigrimit masive të shqiptarëve atje dhe kudo në Europë. Shqiptarët emigruan për të shijuar lirinë pas gjysmë shekulli izolim, emigruan si hallexhinj, për bukën e gojës shumë syresh, për një jetë më të mirë shumë të tjerë. Pra për të punuar. Në ndërtim, në trageti, në shërbime, aty ku punojnë me shumicë sot e kësaj dite me dinjitetin që të jep puna e ndershme dhe mirëpaguar, cilado qoftë ajo. E di secili prej emigrantëve në Greqi, në Itali e kudo se çfarë ishte kur shkoi dhe çfarë u bë duke punuar e jetuar atje. Shqiptarët kanë një shprehje shumë të bukur për të karakterizuar e stigmatizuar mosmirënjohësin: Ha bukën dhe përmbys kupën. Besoj se shumica e shqiptarëve emigrantë nuk sugjestinohen të përmbysin kupën ngaqë dikush u thotë nga maja e thanës ju kanë trajtuar si shërbëtore. Çfarë kuptimi ka kjo qasje përveçse të fyesh vendin mikpritës, të nxisësh ndjenja negative dhe keqkuptime të tjera te ata që të besojnë kundër vendit mikpritës”? shtoi Zogaj.
Në vijim të bisedës Zogaj vuri në dukje se ikja e pandalshme e shqiptarëve nga Shqipëria 34 vjet pas rënies së komunizmit dhe 11 vjet pas qeverisjes së Ramës, apo ‘”fshesa” britanike e përjavshme ndaj emigrantëve klandestinë shqiptarë atje, kësaj radhe me vendim të përbashkët mes qeverisë së Londrës dhe asaj të Tiranës, është jo vetëm ironia, por edhe hipokrizia më e madhe e gjithë çfarë tha Rama për emigracionin në takimin e mbajtur në Athinë. Ku “bujën” më të madhe e bëri ajo që nuk u zu në gojë: vota e emigrantëve”.
“Le të lutemi që të mos u këtë prishur punë për çfarë presin”, përfundoi Zogaj.