Ledian Memushaj mes Sionit dhe Beneventos

Ditë vendimtare për të ardhmen e Ledian Memushajt. Tashmë është e sigurtë që mesfushori i kombëtares shqiptare do të largohet nga Pescara, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër skuadër. Lënia jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar nga ana e trajnerit Zdenek Zeman për sfidën e Kupës së Italisë ndaj Triestinës ishte një sinjal mëse i qartë se aventurës së 30-vjeçarit nga Vlora te klubi abrucez i ka ardhur fundi. Por nëse deri përpara pak ditësh dukej si i sigurtë kalimi i Memushajt te Sioni në Superligën zvicerane, në garë së fundmi për të marrë shërbimet e kuqeziut është futur fuqishëm Benevento, klubi i sapongjitur në Serinë A dhe ka shumë gjasa që Memushaj të mos largohet nga Italia.
Do të jetë një konkurrencë e fortë dyshe mes Sionit të Paolo Tramezzanit dhe Beneventos, madje drejtuesit e klubit nga Jugu i Italisë kanë programuar një takim me përfaqësues të Pescarës dhe menaxherit e futbollistit për të arritur një marrëveshje. Megjithatë pas hyrjes në garë të Beneventos duhet pritur lëvizja e radhës që do të bëjë Sioni, pasi ish-ndihmësi i Gianni de Biasit te Shqipëria, Paolo Tramezzanni e dëshiron me çdo kusht në skuadrën e tij mesfushorin shqiptar. Nëse transferohet në Zvicër, Memushaj do të ketë shok skuadre Ermir Lenjanin, ndërsa nëse zgjedh të qëndrojë në Itali, duke kaluar te Benevento do të luajë në të njëjtin ekip me një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare, pikërisht Berat Gjimshitin.

Artikulli paraprakSadiku kthehet te goli në Kupën e Polonisë
Artikulli tjetërShpërthen Murinjo