Lefter Alla është doërzuar pasditen e sotme pranë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të dhënë deklarime rreth videos që është publikuar ditën e djeshme në të cilën shfaqet duke pirë kokainë.
Mësohet se Alla ka mbërritur në ambientet e SPAK në orën 17:00 ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasin deklarimet.
Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është bërë tema kryesore e debateve politike por jo vetëm, pas daljes së një videoje në të cilën shikohet duke marrë kokainë, ndërsa mësohet se ndaj tij SPAK ka nisur hetimet.
SPAK ka nisur procedim penal për Allën ndërsa pritet që ky i fundit të japë sqarime për pamjet që u publikuan. Pyetja që shtrohet është se a do ti bëhet Allës analiza e urinës që tregon shenjat e qarta nëse ka konsumuar lëndë narkotike dhe nëse po sa e besueshme do të jetë ajo?
Por çfarë parashikon ligji për rastet kur konstatohen veprime të tilla si ai i kryebashkiakut?
“Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”, shkruhet në nenin 283 t Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.