Legia pas 21 vjetësh në Champions

21 vjet pritje për t’u kualifikuar sërish në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Kaq kohë iu desh Legias së Varshavës për të qenë mes 32 më të mirave të Europës. Por për ta arritur këtë objektiv skuadra polake kishte nevojë për një trajner shqiptar në stol. Meritat e jashtëzakonshme për këtë sukses të madh që mbi gjitha mbush arkat e klubit, shkojnë të gjitha për Besnik Hasin.
44-vjeçari nga Gjakova, gjatë kësaj vere pas largimit nga stoli i Anderlechtit, skuadër me të cilën fitoi edhe një titull kampion në Belgjikë firmosi një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Polonisë. Por edhe pse nuk e nisi shumë mirë aventurën e tij në kampionat me Legian që në javët e para ka regjistruar disa rezultate jo të mira, Hasi u përqendrua te kualifikueset e Championsit duke realizuar atë që s’e kishte bërë asnjë në këto 21 vite, të kualifikonte formacionin nga Varshava në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
Në turin e dytë kualifikues skuadra e trajnerit shqiptar eliminoi me rezultat të përgjithshëm 3-1, skuadrën boshnjake të Zrinjskit. Në raundin e tretë Legia u imponua me rezultat të përgjithshëm 1-0 ndaj skuadrës sllovake të Trencin. Ndërsa në play off-in e Championsit eliminoi pas fitores 0-2 në transfertë dhe barazimit 1-1 në shtëpi kampionen e Irlandës, Dundalk. Një arritje e jashtëzakonshme kjo për Legian e Varshavës dhe Besnik Hasin. Tashmë skuadra që drejtohet nga trajneri shqiptar do të masë forcat me klubet më të mëdha të Europës në fazën e grupeve të UEFA Champions League.

Exit mobile version