Lej Fenët 2030!

Nga Gjergji Nika

“Kryetari Mao Ce-Dun i ngjan babait. Ideologjia e Kryetarit Mao i ngjan diellit. Babai në çdo rast kujdeset për mua. Dielli më rriti mua…”.

“…Oh, sa e emocionuar je ti, o zemra ime! Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”

Janë disa citate të Lej Fenit, heroit imagjinar kinez.

Nëse ndokush shikon mes këtyre citateve lejfeniane dhe sloganeve të sotme të militantëve tanë ndonjë paralelizëm në këtë pragzgjedhjesh, atëherë duhet të besojmë se ajo kohë vazhdon vërtet të komandojë në kryet e shumëkujt prej nesh. Jo më me stema, por me mënyrën “revolucionare” të të menduarit, ose, më saktë, të të mosmenduarit.

Lej Feni ishte i riu komunist në Kinë, jetimi të cilin e rriti Partia, djali i varfër i popullit punonjës, qytetari model, të cilin populli duhet ta merrte shembull dhe ta ndiqte devotshmërisht në adhurimin për Mao Ce Dun-in.

Por Lej Fen-ët historikisht i kemi pasur edhe në Shqipëri. Në Shqipëri lindi një lloj i ri “homo politicus” (Enveri Hoxha e quajti “njeriu i ri”). Ky “njeri i ri” nuk duhej të mendonte, nuk duhej të dyshonte, të diskutonte, duhej të ishte pa vese, të festonte, gëzohej apo hidhërohej vetëm kur t’i thoshte lideri. Po të bëhej spiun, akoma më mirë. Kjo lloj specieje duhej të ishte e gatshme të bëhej theror për partinë dhe për liderin, pa u menduar fare, sepse liderit dhe partisë u kishte dhënë besën dhe nuk kishte kthim mbrapa.

Me shpalljen e pluralizmit dhe ardhjen e demokracisë, kjo lloj “feje” absurde duhet të ishte zhdukur, por jo!

Në këto 34 vite kemi parë militantë që kalojnë në ekstazë kur takojnë apo flasin për liderin e tyre.
Për këtë kategori “homo politicus”, Berisha, Rama apo Meta apo ndonjë tjetër lindin vetëm një herë në 100 vite.

PS, pasuesja e PPSH, vazhdon me traditën e lejfenizmit, lëpirjes e hipokrizisë. Figurat e saj lejfeniste, dordolecët e demokracisë, janë më të promovuarat.

Mimi Kodheli kur ishte ministre e Mbrojtjes e quajti Edi Ramën artist me famë botërore, ndërsa Milva Ikonomi, kur ishte ministre e Ekonomisë i dha shefit të saj titullin: “Brandi ndërkombëtar i Shqipërisë”.

Në vitin 2017 Elisa Spiropali, e krahasoi Ramën me Skënderbeun. Pas kësaj Spiropali u bë ministre shteti. Por ajo e kuptoi se rruga e nisur nuk duhej lënë në mes.

Servilizmi bëri që ajo të përpara disa javësh të gradohej si figura numër 2 e shtetit, pasi publikisht deklaroi se Skënderbeu i saj i theu hundët ambasadorit të Rusisë në OKB.

Në korrik 2020, në një intervistë për ABC News, Belinda Balluku e kishte quajtur Edi Ramën “… një person që ka zbuluar talente, jo bazuar në bindjen politike por në punën që ata kryenin… Shumë njerëz që nuk e kanë perceptuar kurrë se do ishin aty… Është e vështirë të ndjekësh ritmin e Edi Ramës, por do ia dalim”. Dhe Belinda ia doli duke u bërë numri 2 i qeverisë.

Por servilizmi nuk njihka kufi, moshë apo shkollim.

Ilva Gjuzi, e shkolluara në Kembrixh, pa asnjë lloj merite apo kontributi në PS apo Shqipëri, u emërua zv/ministre e turizmit, vetëm se gjatë një debati televiziv nuk pati aspak drojë të deklarojë: “Edi Rama ka shumë të meta. Edi Rama është 10 hapa para nga ne të tjerët. Është më përpara se ç’duhet. Po pra kjo është e një e metë e madhe se të jesh shumë përpara është e metë”.

Dhe, ndërkohë që po shkruaj këto rreshta nuk mund të parashikoj se çfarë detyre të lartë shtetërore do të marrë Helena Kaçe, të cilën Rama në kongres e shpalli si pasardhësen e vet dhe që po në televizion deklaroi se: “…E meta e vetme e Ramës është se ai punon aq shumë për Shqipërinë sa ka harruar veten…”

Dhe, fatkeqësisht, Shqipëria 2030, do ketë disa të rinj që adhurojnë Ramën si timonier vizonar, i cili bëhet fli për shqiptarët dhe e lë veten pas dore duke punuar veç për popullin.

Do të ketë edhe disa të tjerë, të cilët do të vazhdojnë të adhurojnë Sali Berishën si mishërimi i njeriut- demokraci dhe se pa atë s’ka as liri e as demokraci.

Dhe, fatkeqësisht, njerëzit anonimë, vetëm se janë Lejfenët modernë, pa asnjë vlerë e meritokraci do të vazhdojnë të shpërblehen me poste si ligjvënës apo në ekzekutiv qoftë edhe ne qeverisjen lokale duke na mbajtur ende peng, duke shënuar regres e duke penguar sistemin e vlerave e demokracinë e vërtetë!

Exit mobile version