Pas stadiumit me kullë, Shqipëria do të ketë edhe Gjykatë të Lartë me kullë. Në fillim të Prillit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e zhvillimit për objektin Gjykata e Lartë dhe Train Tower. Kapitali publikon fotot e projektit, që do të ndërtohet në Bulevardin e Ri.
Kompania ndërtuese është StarTek e biznesmenit Lulëzim Mehmetaj. Siç duket në foto, Gjykata e Lartë do të jetë një ndërtesë e ulët 4 deri në 5 kate, ndërsa ngjitur me të do të ngrihet një kullë e lartë, numri i kateve të së cilës ende nuk është bërë publik.
Ndërtimi i Gjykatës së Lartë nga një kompani private është një skemë identike me atë të stadiumit kombëtar Air Albania. Në këtë rast formula e ndërtimit ende nuk është bërë e njohur. Nëse Gjykata e Lartë do të ndërtohet me paratë e kompanisë private, çfarë do të përfitojë ajo në këmbim?
Përtej kësaj, ndërtimi i një godine të re për Gjykatën e Lartë, shtron pyetjen se çfarë do të ndodh me godinën ekzistuese, që gjendet në qendër të Tiranës, përballë ministrisë së Financave. A do të ngrihet në vend të gjykatës një tjetër kullë e lartë për kompesuar privatin?
Këto detaje mbeten ende për t’u mësuar. Por e sigurtë është se në KKTU tashmë ka kaluar leja për ndërtimin e një godine të re për Gjykatën e Lartë në fillim të Bulevardit të Ri, bashkë me një kullë nga kompania StarTek./ Kapitali.al