Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia lokale, gjatë natës, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën private të M.K. nga një dritare. Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 30.000 lekë (të reja).
I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kërcënuar me jetë për t’i dhënë paratë që kishte në banesë. Burime thanë se deri më tani, policia ka shoqëruar 6 persona në ambientet e komisariatit për t’u pyetur lidhur me ngjarjen. Po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, njofton zyrtarisht Policia.
Ndërkohë, në katër minuta grabiten dy kasaforta, të cilat në orët e para të mëngjesit janë gjetur në afërsi të Milotit. Zyrat postare në qytetin e Rrëshenit janë grabitur në orët e para të ditës së djeshme rreth orës 04:00. Pavarësisht se rojet e sigurisë kanë mbërritur shumë shpejt, nga zyrat janë marrë dy kasaforta që janë ngarkuar në një automjet nga katër grabitës.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se grabitja ka zgjatur rreth 4-5 minuta. Grabitësit kanë shtrembëruar kamerën e jashtme të sigurisë, ndërsa kanë përdorur mjete të forta për të hyrë në ambientet e postës dhe prej aty kanë marrë dy kasaforta të lëvizshme. Brenda tyre nuk ka pasur vlera parash. Grabitësit i kanë hedhur kasafortat në afërsi të Milotit, pasi kanë parë që nuk u vlejnë dhe mund të identifikoheshin.