Leku forcohet, biznesi po vdes nuk kërkon më monedha të huaja

Monedha vendase, leku ka pësuar një forcim të pazakontë për periudhën në këmbim me euron dhe dollarin. Përgjatë gjithë javës së shkuar dhe këtë fillim jave, leku ka rritur vlerën e këmbimit, duke vijuar edhe sot.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 137.53 lekë me një rënie 0.21 lekë me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i euros me lekun, që nga 25 janari i këtij viti, kur euro u këmbye me 137.43 lekë.
Në të njëjtën trajektore, ka shkuar edhe këmbimi i dollarit. Një USD u këmbye sot me 121.37 lekë me një rënie 0.19 lekë. Rënia ditore konsiderohet e lehtë, por është shndërruar në trend muajin e fundit.
Eksperti i një prej agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend pohon se, bizneset kanë ulur ndjeshëm kërkesën për valutë. Ai tha se, edhe nga komunikimi me bankat e tregtare në vend, arsye kryesore mbetet kërkesat e dobët nga bizneset për euro.
Rënia në tregun e brendshëm po vjen përkundrejt tregut ndërkombëtar, i cili reagoi sot me rritje të euros në këmbim me USD me 0.03 pikë. Në analizën që Banka e Shqipërisë ka bërë për ecurinë e kursit të këmbimit në tremujorin e parë të 2016, ka vërejtur se në krahasim me një vit më parë, një euro u shkëmbye mesatarisht rreth 1.4% më lirë.
Banka konstaton se, ndonëse deficiti tregtar është zgjeruar gjatë periudhës janar-shkurt, oferta për euro në tregun vendas duket të ketë rezultuar më e lartë se kërkesa, duke favorizuar monedhën vendase. Kështu, pavarësisht prirjes sezonale të kompanive të huaja për riatdhesimin e fitimeve të tyre gjatë javës së fundit të muajit mars, kursi mesatar euro/lekë nuk shfaqi prirje të theksuara nënçmuese, thotë autoriteti monetar.

Kush fiton dhe kush humbet

Këtë vit, leku paraqitet më i fortë në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në pesëmujorin e parë të këtij viti, kursi i këmbimit të euros ishte mesatarisht 138.3 lekë, nga 140.4 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dobësimi i euros duket të jetë sidomos rezultat i një oferte të shtuar në muajt e fundit të monedhës europiane, por edhe i një kërkese më të dobët të tregut për të blerë euro. I dobësuar me rreth dy pikë rezulton edhe dollari amerikan, që për pesë muajt e parë të këtij viti u këmbye mesatarisht me 124.2 lekë, nga 126 lekë që këmbehej një vit më parë.
Në rastin e dollarit, kursi përcaktohet më pak nga raporti i brendshëm kërkesë-ofertë dhe më shumë nga lëvizjet e monedhës amerikane kundrejt valutave kryesore në tregjet ndërkombëtare. Janë këto lëvizje që e orientojnë edhe kursin dollar-lek. Në një analizë të përgjitshme, ekonomia shqiptare përfiton nga forcimi i lekut, për shkak se vendi ynë ka një bilanc negativ të llogarisë korrente, çka nënkupton se sasia e valutës që del është më e lartë në raport me paranë që hyn.
Rrjedhimisht, forcimi i lekut e bën më të lirë blerjen e mallrave apo shërbimeve jashtë vendit. Në këtë kuptim, forcimi i lekut është një faktor që ndikon në norma më të ulëta të inflacionit të importuar. Përfitim nga forcimi i lekut kanë edhe kredimarrësit e shumtë në valutë.
Duke qenë se për shumicën e tyre, të ardhurat janë në lekë, ata e blejnë euron më lirë dhe përfitojnë këste mujore më të ulët. Por, ka edhe segmente të ekonomisë që humbasin, ku përfshihen sektorët që sigurojnë të ardhura në valutë, ndërsa shpenzimet i kanë kryesisht në lekë, ku përfshihen bizneset eksportuese dhe ato të shërbimeve turistike.
Humbje nga forcimi i lekut kanë edhe sektorët e euroizuar të ekonomisë, si për shembull ndërtimi apo pasuritë e paluajtshme, ku transaksionet kryhen përgjithësisht në monedhën europiane.
Humbje mund të kenë edhe depozituesit që kanë zgjedhur t’i mbajnë kursimet e tyre në valutë, të cilët, përveçse nga normat praktikisht zero të interesit, mund të humbasin edhe nga kursi, në momentin që kanë nevojë t’i përdorin kursimet e tyre për të blerë mallra apo shërbime në lekë.

Exit mobile version