Lënë pas dëmtimet, dy titullarë gëzojnë trajnerin Silvinjo

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, gjatë këtyre ditëve po bën përgatitjet intensive për listën e futbollistëve që do të grumbullojë për pjesëmarrjen në Europian. Dhe padyshim, kjo listë lidhet me formën që ata po kalojnë apo edhe me situatën e tyre shëndetësore.

Në ditët e fundit, Silvinjo ka marrë informacione që padyshim do ta qetësojnë, pasi një prej titullarëve të paprekshëm të grupit kuqezi, ka kaluar problemet shëndetësore të javëve të kaluara. Ylber Ramadani, për shkak të një infeksioni, kishte qëndruar prej dy javësh larg fushave të lojës. Por, ai i ka lënë pasi këto shqetësime dhe tashmë është kthyer në stërvitje me grupin te skuadra e Leçes. Mediat italiane bëjnë të ditur se mesfushori shqiptar ka bërë stërvitje i diferencuar, teksa po tenton të rigjejë formën fizike të tijën në javët që mbeten.

Ramadani është një element i rëndësishëm te Leçe prandaj pritet që sapo të jetë në gjendje për t’u aktivizuar, mesfushori kuqezi të zbresë përsëri në fushën e lojës për të dhënë kontributin e tij. Kësisoj, edhe Silvinjo do të ketë lojtarin në formë kur të fillojë grumbullimin për Europianin, duke llogaritur se ai është një nga “digat” e mesfushës kuqezi. Jo vetëm Ramadani, por edhe një mbrojtës kuqezi është gati.

Ardian Ismajli sheh dritën në fund të tunelit. Mbrojtësi shqiptar është rikthyer duke punuar në grup dhe mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës që Empoli do të luajë me Frozinonen. Siç raportohet nga mediat pranë klubit, një lajm i mirë ka mbërritur në ambientin e toskanëve. Ismajli është bashkuar me grupin në seancën e djeshme stërvitore.

Mbrojtësi ka mbetur jashtë fushave që nga fillimi i marsit për shkak të dëmtimit të pësuar kundër Milanit dhe procesi i rikuperimit të tij po i vjen fundi. Edhe nëse ai do të kthehej, megjithatë, duket e vështirë të imagjinohet se ai mund të luajë nga minuta e parë në takimin direkt për mbijetesë ndaj Frozinones.

Artikulli paraprakPas 25 vjetësh, studiuesit zbulojnë shkakun gjenetik të sëmundjes së rrallë neurologjike
Artikulli tjetërBiden përballë sfidës për një qasje të ekuilibruar ndaj protestave në universitetet amerikane