Ermir Lenjani është në udhëkryqin e karrierës. Dhjetë ditë pas rikthimit te Rennes, për t’iu bashkuar fazës përgatitore, mesfushori i Kombëtares shqiptare është njohur me vendimin e drejtuesve të klubit. Sipas mediave lokale, Rennes e ka njoftuar 26-vjeçarin që duhet të zgjedhjë sa më shpejt çfarë drejtimi do të marrë e ardhmja e tij, pasi ai nuk është zyrtarisht në planet e klubit.
Verdikti final u dha nga trajneri Christian Gourcuff, që pasi e ka lënë lojtarin jashtë ndeshjeve miqësore të zhvilluara, tashmë e përfshiu edhe në listën e lojtarëve që nuk janë në planet e tij për sezonin e ri.
Kjo bën që pas huazimit te Nantes gjatë edicionit të kaluar, Lenjani duhet të gjejë një tjetër skuadër. Interesimi për kuqeziun nuk mungon, por koha në dispozicion është e pakët dhe tashmë kërkohet që negociatat të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.
Pas zbehjes së pistave drejt gjermaneve të Werder Bremen dhe grekëve të AEK Athinës, Ermir Lenjani mund të qëndrojë në League 1 franceze, me Saint Etienne që ka shfaqur interes.
Për shërbimet e shqiptarit në garë duket edhe Eintracht Frankfurt nga Bundesliga gjermane dhe Trabzonspor në Superligën turke. Mesfushori pret të mësojë të ardhmen, e së bashku me të edhe stafi teknik i Kombëtares, pasi me kualifikueset e Botërorit 2018 që po afrojnë, kuqezinjtë kanë nevojë që elementët e tyre më të vlefshëm të jenë në formë optimale.