Ermir Lenjani ishte lojtari i parë i kuqezinjve që u zëvendësua në përballjen me Spanjën. Mesfushori nga Prishtina u detyrua të braktiste stadiumin “Loro Boriçi” prej pushimit të lojës, për shkak të një lëndimi në vesh. Pas shtrimit me urgjencë në Spitalin Amerikan në kryeqytet, 27-vjeçari tregon dinamikën e episodit. “Gjatë një aksioni në ajër me Thiago Alcantara, të dy kërcyem dhe ai më goditi me bërryl. M’u ça veshi dhe doktori i kombëtares më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën dhe u nisëm menjëherë drejt Tiranës për t’iu nënshtruar operacionit”, u shpreh Lenjani.
Ashtu si të gjithë lojtarët, Lenjani nuk donte kurrsesi ta humbiste përballjen me Spanjën. Në fushë nuk ndjeu aspak dhembje, madje kërkoi të rikthehej në pjesën e dytë të ndeshjes, por stafi mjekësor i kombëtares vendosi zëvendësimin e tij. “Isha ende në adrenalinën e lojës dhe nuk e ndjeja aspak dhembjen. Por, doktori më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën, sepse duhej ta ngjisnim sa më shpejt veshin që u ça. Kisha vetëm dhembje në fillim kur isha në tokë. Kur më thanë se kisha gjak, i kërkova ta lidhnin që të luaja, por mjekët ma ndaluan”, tha ai.
Pas operacionit të kaluar me sukses, Lenjani qetëson të gjithë tifozët e kombëtares, duke përcaktuar edhe afatin e rikthimit në fushë, edhe pse fjalën e fundit do ta kenë mjekët. “Lajmërova menjëherë familjarët, ndërsa isha rrugës për në Tiranë. Operacioni kaloi me sukses dhe tani jam shumë mirë. Shpresoj të kthehem më i fortë. Mendoj se pas dhjetë ditësh do të kthehem në fushë”, përfundoi Lenjani.