Lionel Mesi me shumë mundësi do të rikthehet në fushën e blertë ndaj Deportivo la Corunas me 15 shtator. Megjithëse ka humbur tre takimet me bluagranat dhe thuajse të gjithë pjesën e dytë ndaj Atleticos së Madridit, 29-vjeçari përsa i përket statistikave mbetet më i miri në botë gjatë 2016-ës. Argjentinasi gjatë vitit aktual ka mundur të shënojë 43 gola, 36 me Barcën dhe 7 me Argjentinën, si dhe ka dhënë 27 asiste, pra në total ka marrë pjesë në 70 finalizime.
Vetëm Luis Suarez, qendërsulmuesi më i mirë në botë, i reziston ritmit të Mesit në nëntë muajt e parë të vitit. Edhe uruguajani ka mundur të realizojë në total 43 gola, aq sa Mesi, por ka dhënë 6 asiste më pak. Suarez ka qenë pjesë aktive në 64 gola me Barcën dhe Uruguain. I treti, me statistika më të mira renditet Zlatan Ibrahimoviç, aktualisht pjesë e Manchester United. 35-vjeçari gjatë 2016 mban firmën e 33 golave me PSG, ndërsa 3 të tjerë i ka shënuar me “Djajtë e Kuq”. Me parizienët ka dhënë gjithashtu edhe 11 asiste. I katërti në listën e golashënuesve të këtij viti është Cristiano Ronaldo, me 35 finalizime në total, 32 me Realin dhe 3 me Portugalinë.
Pas tij, luzitanit vjen Neymar me 26 gola, 20 me Barcelonën dhe 6 me Brazilin, por përsa u përket asisteve, sulmuesi i Barcelonës ka shifra më të larta se Ronaldo, më saktë 23 me 12. Gjithsesi portugezi mbetet kandidat kryesor për çmimet Topi i Artë dhe Futbollisti më i mirë i vitit, pasi ka triumfuar në Champios League dhe në Kampionatin Europian.
Listën e futbollistëve me statistika më të mira gjatë 2016 e mbylli Grizeman dhe Higuain, që kanë shënuar nga 32 gola. Francezi 25 herë e ka dërguar topin në rrjetë me Los Colchoneros, ndërsa 7 herë ka realizuar me Francën. Ndërsa argjentinasi golat e tij i ka shpërndarë me Napolin, Juventusin dhe përfaqësuesen bardhekaltër, respektivisht 20, 7, dhe 5 gola. Sa u përkt asisteve Griezmann ka dhënë 5, ndërsa Higuain vetëm 2.