“Leo Mesi zikaltër”

Ka nga ato raste kur ëndrrat bëhen realitet dhe me kinezët në drejtimin e Interit ëndrra e Massimo Morattit, por edhe e të gjithë tifozëve zikaltër mund të mos mbetet thjesht një ëndërr. Suning Group dëshiron të ndërtojë një Inter të madh, por për ta realizuar diçka të tillë, skuadra milaneze ka nevojë për futbollistë të mëdhenj. Mund të tingëllojë si diçka e pabesueshme, por është Lionel Mesi objektivi i madh i Interit në merkaton e verës së ardhshme.
Ylli argjentinas po mendon seriozisht largimin nga Barcelona dhe kinezët e Interit janë gati ta mbulojnë me ar 5 herë fituesin e Topit të Artë në mënyrë që ai të veshë fanellën zikaltër. Për të hapur një skenar të tillë ka menduar Marco Tronchetti Provera. Shefi ekzekutiv i Pirrellit, sponsorit që Interi mban në fanellë prej gati dy dekadash, në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriero dello Sport” ka zbuluar se Zhang Jindong dëshiron të transferojë te 18 herë kampionët e Italisë Lionel Mesin.
Për Interin në këtë moment të shkëpusë Lionel Mesin nga Barcelona ngjason më shumë me një mision të pamundur, por ka raste kur edhe e pamundura bëhet realitet aq më tepër në futboll. Mesit i skadon kontrata aktuale me Barcelonën në verën e vitit 2018, por argjentinasi për momentin nuk ka ndërmend të rinovojë me Barçën dhe skenarët mund të ndryshojnë. 29-vjeçarin e dëshiron me çdo kusht edhe Pep Guardiola te Manchester City, por Interi me paratë që vijnë nga Kina do ta bëjë një tentativë. Mesi shpeshherë ka deklaruar se nëse largohet një ditë nga Barcelona do ta bëjë vetëm për të luajtur me skuadrën e vendlindjes së tij Newells Old Boys.
Por në verë ai do të jetë vetëm 30 vjeç dhe kampionati argjentinas mund të presë edhe për disa vite me Mesin që mund të provojë një eksperiencë të re në Serinë A italiane, ndoshta për të ndjekur gjurmët e Diego Armando Maradonës. “Ëndrra është gjithmonë e njëjta, të shoh Lionel Mesin të mbajë veshur fanellën e Interit”, deklaroi Tronchetti Provera për “Corriere dello Sport”. Tashmë topi kalon te Zhang Jindong që për të rikthyer Interin në majat e futbollit italian dhe atij europian duhet të tentojë blerjen e 5 herë fituesit të Topit të Artë.
Mesi ka kontratë me ekipin nga “Camp Nou” deri në vitin 2018, por deri më tani ende nuk ka nisur negociatat për vazhdimin e saj. Kjo situatë ka bërë që klube të mëdha evropiane, si Manchester City dhe Paris Saint Germain, të vihen pas argjentinasit.
Drejtuesit e skuadrës së Interit po synojnë ta përforcojnë ekipin gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas “Calciomercato”, Nerazzurrët nuk po heqin dorë nga mesfushori i Chelseas, Oscar, edhe pse Antonio Conte ka deklaruar se braziliani do të largohet nga ekipi. Thuhet se ekipi nga “San Siro” shpreson që me një ofertë të majme ta transferojnë lojtarin brazilian.

Exit mobile version