Leo Messi do të rinovojë me Barçën pas muajit të mjaltit

Lionel Messi do të rinovojë kontratën me Barcelonën, menjëherë sapo të kthehet nga muaji i mjaltit. Sulmuesi argjentinas, që u martua të premten në Rosario me partneren e tij Antonela Roccuzzo, pritej të kthehej në Katalunjë, por diçka e tillë nuk do të ndodhë të paktën deri më 12 korrik. Menjëherë pas dasmës, çifti ndryshoi planet, duke udhëtuar drejt Karaibeve së bashku me djemtë e tyre Thiago dhe Mateo. Messi pritet të paraqitet në Barcelonë rreth mesit të këtij muaji, periudhë kur lojtarët “blaugrana” do të zhvillojnë testet mjekësore, përpara startit të përgatitjeve për sezonin e ri.
Kontrata e pesë herë fituesit të Topit të Artë përfundon në vitin 2018, por akordi u arrit pas negociatave, të cilat zgjatën disa muaj. Lionel Messi do të firmosë marrëveshjen e re, që skadon në vitin 2021 dhe ka opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Me rinovimin e kontratës, argjentinasi do të bëhet lojtari më i paguar në botë, me pagën neto që pritet ta kalojë shifrën e 22 milionë eurove në sezon.
Messi ka debutuar me Barcelonën në vitin 2004, kur ishte vetëm 16 vjeç e katër muaj. Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar 30 trofe me gjigantët katalanë, duke shënuar më tepër se 500 gola. Duke llogaritur edhe moshën 30-vjeçare të sulmuesit, me firmosjen e kontratës së re, Leo pritet ta mbyllë karrierën në “Camp Nou”.

Artikulli paraprakLukaku te Chelsea
Artikulli tjetërKlauzolë e “frikshme”