Leonardo, pasuesi i De Boer te Inter?

Fitorja ndaj Torinos shpëtoi përkohësisht stolin e Frank de Boer, por e ardhmja e trajnerit holandez te Interi vazhdon të mbetet në dyshim. Sipas mediave italiane, De Boer do të luajë pankinën në dy sfidat e ardhshme të kampionatit ndaj Sampdorias dhe Crotones. Në rast të një humbjeje në sfidën përballë skuadrës doriane, gjasat janë që holandezi të shkarkohet, me Interin që e ka gjetur tashmë pasuesin e 46-vjeçarit. Bëhet fjalë për brazilianin Leonardo, i cili pëlqehet shumë nga ish-presidenti i klubit zikaltër, Massimo Moratti.
Ish-futbollisti i Milanit e ka drejtuar edhe më parë Interin për një periudhë 6-mujore duke fituar edhe një Kupë Italie me zikaltërit më 2011-tën. Trofeun e fundit, Interi e ka fituar pikërisht me Leonardon në stol. Sipas asaj që raportojnë mediat në Apenine, ideja e krerëve më të lartë të Interit është të emërojë në stol Leonardon deri në fund të këtij sezoni për t’i dhënë atij më pas një post drejtuesi. Ëndrra për pankinën në verën e vitit 2017 është Diego Simeone, ndërsa një alternativë e vlefshme mund të jetë edhe Laurent Blanc.
Por ndërkohë që për mediat De Boer vazhdon të jetë në rrezik, për t’i ardhur në ndihmë holandezit ka menduar presidenti Erick Thohir, njeriu që i besoi stolin e Interit 46-vjeçarit. Në mbledhjen e aksionerëve të mbajtur këtë të premte, Erick Thohir shprehu mbështetjen e tij dhe atë të klubit në drejtim të Frank de Boer, por ndërkohë nënvizoi se kualfikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm është një objektiv që duhet arritur me çdo kusht nga skuadra.

Exit mobile version