Leskaj: Dhjetëra shkolla në Qarkun e Vlorës janë mbyllur!

Nga Bujar LESKAJ

Sot mijëra djem e vajza, të rinj e të reja në arsimin parashkollor, fillor e parauniversitar janë ulur në bangat e shkollës. Dëshiroj t’u dërgoj urimet e mia më të përzemërta nxënësve, mësuesve e prindërve për nisjen e këtij viti të ri shkollor.

Nga zemra: Suksese!

Është një vit, i treti radhazi, që shkolla nuk po fillon normalisht për shkak të pandemisë. Edhe ky vit do të jetë i vështirë në të gjitha drejtimet, por urimet tona janë jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, misionarët e dijes, të cilët janë ndoshta shtresa intelektuale më e papërfillur dhe më pak e vlerësuar! Si gjithçka në Shqipëri edhe arsimi është i goditur e i nënvlerësuar!

Mësuesit janë të përulur, të kërcënuar, të shtypur e peng i politikës. Investimet e qeverisë në arsim nuk janë investime që duhen bërë për arsimin e Shqipërisë së shekullit të ri! Janë të pamjaftueshme, qesharake. Investimet nuk janë vetëm restaurimi i godinave, por investime reale në programe mësimore, infrastrukturë e logjistikë, në cilësi e informatikë.

Partia Demokratike ka kërkuar që investimet në arsim të jenë 5% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Si deputet i PD për Vlorën ndiej keqardhje që dhjetëra shkolla në qarkun e Vlorës janë mbyllur, si pasojë e uljes së numrit të nxënësve, emigrimit masiv, braktisjes apo edhe pamundësisë së fëmijëve për të vazhduar shkollën!

Ndiej keqardhje për Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” që po shkon drejt shuarjes e mbylljes së disa degëve, për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve. Propaganda qeveritare nuk mund të mbulojë plagët e arsimit shqiptar. Arsimi ka nevojë për investime reale, në mënyrë që t’i përgjigjet, t’i përshtatet dhe t’ju paraprijë ndryshimeve në zhvillimin e vendit.

Si mund të pretendojë një shoqëri, një komb të ecë përpara kur nuk investon tek truri i saj, tek e ardhmja e saj, te rinia dhe arsimi? Ky është një paradoks, dështim i përmasave gjigande të këtij sekti qeverisës.

Artikulli paraprakBarbarët do të prishin godinën historike të Parlamentit të parë shqiptar për të ngritur kullë
Artikulli tjetërBasha: PD do të depozitojë propozimin për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar mbi mallrat e shportës nga 20 në 6%