Letër Brutit (Personazh i “Jul Çezarit”- Shekspir)

Nga Agim Baçi

Dridhem! Frikem! Ulem të të shkruaj por një tmerr më kaplon të tërin. Prej kohësh ëndërroj të di përgjigjen tuaj. Por ndihem i pafuqishëm të ndërtoj një pyetje që më është kthyer në makth. Jam përpara letrës dhe e di – zemra ime nuk do të ndihet mirë. Letra nuk më bindet, boja nuk dëshiron të bëhet pjesë e shkronjave për fjalët drejt teje – por, megjithatë, mendja ime vijon të këmbëngulë që ta mësojë veç prej teje atë që ka ndodhur në jetën tuaj. Edhe pse nuk ka qenë aspak e lehtë ta shtroj brenda vetes dëshirën për të biseduar me ju drejtëpërdrejtë, sërish ka fituar kërshëria e fortë për të mos e humbur një përgjigje nga ju, nëse do keni durimin për të ma treguar: si munde vallë ta tradhëtosh Çezarin? Si munde ta bëje ti, të cilit ai i besonte aq shumë? Ku e gjetë vallë atë forcë që t’i ngulësh kamën? Cila forcë të shtyu atë dorë drejt tij? Si munde?
E di, ndoshta përgjigja juaj nuk është ajo që kam më për zemër të di, por e di që asnjë përgjigje tjetër nuk mundet të japë ndonjë sqarim më afër asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Ndoshta edhe jo, por unë do e pres përgjigjen tuaj si ura e vetme që mund të më lejojë të kaloj nga ky lumë i tmerrshëm dilemash…
Agimi…

Përgjigje lexonjësit Agim…

Ndoshta emri që kam s’ma lejon që të të drejtohem si mik. Letra juaj mbart pyetjet e botës. Megjithatë, lejomë të të drejtohem si mik, edhe pse ndoshta kurrë s’ke për të pranuar pre meje një të tillë fjalë. Kushdo që mund të kem qenë në jetë nuk besoj se do t’ju interesojë, pasi më shumë se gjithçka unë jam tradhëtori i Çezarit. Asgjë tjetër s’ka rëndësi për ju. Ndoshta që prej atij çasti asgjë tjetër nuk vlen as për mua.
Nuk kemi pse t’i biem rrotull e të të lodh për gjëra që s’ke ndërmend të më pyesësh, megjithëse zemra ime do të donte t’ju fliste edhe për shumë gjëra të tjera. Por edhe sot jam i bindur për diçka: unë nuk kisha asnjë mundësi tjetër në jetë, duhet të vendosja se cili duhej të isha – dhe në vend të anonimatit zgjodha tradhëtinë.
E rëndë për një burrë të mbetet anonim- heroi ish ai, mua më mbeti të isha tradhëtori!
Bëra atë që që e bëjmë të gjithë nga pak. E kemi brenda vetes. E bëni edhe ju çdo ditë, edhe pse nuk mundeni ta pranoni- ndryshe nuk kish pse unë të mbetesha kaq shumë i përfolur mes jush. Ndryshe nuk kish pse mbi dy mijë vjet të vijonit të merreshit me mua.
Por ju jeni të gjithë nga pak tradhëtarë- tradhëtoni dashuritë tuaja, ëndrrat tuaja, miqtë tuaj, pasionet tuaja, fëmijërinë tuaj. Tradhëtoni por s’e pranoni, nuk e thoni, sepse nuk iu mbeti e dukshme asnjë shenjë aq e drejtëpërdrejtë sa ajo kamë e imja drejt Çezarit.
Por ju të gjithë tradhëtoni- kush më shumë e kush më pak- por s’guxoni ta pranoni, ta quani si të tillë. Nuk mundeni ta pranoni, sepse edhe tradhëtia do guximin e vet.
Ty vetë të kanë tradhëtuar miku im? Po ti vetë ke tradhëtuar ndokënd? Po veten tënde e ke tradhëtuar? Të lutem as mos më shkruaj e as më thuaj. Do të mundohesh të justifikossh, të fshehësh atë që ke pësuar apo edhe ke menduar edhe vetë. Nuk je i pari. As i fundit s’mundesh. I fundit do të tradhëtojë patjetër veten, sepse nuk ka më asesi të bëjë ndryshe.
Nuk dua të më shfajësojnë. Çdo gjë tjetër e imja ka humbur. Do të humbë edhe nga ju gjithçka që nuk lë shenjë, që s’ka emër, që ju s’e thatë apo s’e bëtë kurrë. Nuk mund të jemi miq. Ndoshta kjo më heq çdo vel nga ajo ç’ka dua t’ju them.
Ju jam mirënjohës që m’u drejtuat mua edhe pse s’jam i bindur se kam mundur t’ju them atë ç’ka keni menduar.

Artikulli paraprakEurostat: Shqipëria dha 10 herë më pak fonde për kërkim shkencor se Serbia dhe 100 here më pak se BE
Artikulli tjetërSulmoi kryeministren daneze në mes të Kopenhagës, ja me sa muaj dënohet autori! Gjykata urdhëron dëbimin e tij nga vendi