Letër drejtuar Endri Shabanit!

Nga Ermal Peçi

Endri Shabanin personalisht nuk e njoh, përveç disa mesazheve shumë qytetare që kemi shkëmbyer. Kjo pasi kam dashur ta ftoj në “Intervistën e Ditës”, që drejtoj në Dritare TV. Në fakt kam vite që e kam dëgjuar aktivizmin e tij në “Nismën Thurrje”, që kur ajo drejtohej nga Besjan Pesha(njeriu, i cili nuk la parti pa qenë nga; PS,PD,LSI e ku ta di tjetër). Deri në momentin kur Besjani u mënjanua dhe Shabani “mori frenat” e Thurjes. Endri është një djalë i qytetar, i artikuluar dhe kurrajoz, i cili ka dorëzuar dhe dosje të funksionarëve të PS-së, në SPAK, si dhe ka ngritur zërin për padrejtësi. Le të kthehemi tek arsyeja se pse vendosa të shkruaja këtë letër; jo vetëm për të pasur një qartësi me njerëzit, por edhe pse natyra ime karakteriale nuk mund ta mohojë tikun ideologjik që lëviz brenda sistemit neurologjik.
Endri Shabani dje tregoi një papjekuri politike me reagimin për t’i thënë jo një bashkimi në zgjedhje me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike Euroatlantike që ai drejton. Ishte papjekuri sepse vetë Shabani në daljet e tij politike e ka përjashtuar Bashën nga kjo klasë e vjetër politike, por mbi të gjitha në politikë nuk bën asnjë mëkat në qoftë se negocion. Edhe nëse në fund llogaritë politike nuk bëhen, ti nuk e nënshkruan marrëveshjen. Pavarësisht se ka mbaruar në Londër, Shabani një djalë i ri dje foli me gjuhën e vjetër të politikës shqiptare që ndryshe vepron e ndryshe flet. Të gjithë ne e dimë që Shabani ka bërë disa takime me Bashën, për të folur e diskutuar mundësinë e një koalicioni me bazë të gjerë. Nuk dua të futem në analiza se çfarë e shtyu Shabanin të reagonte në atë formë, se nuk është ky qëllimi i shkrimit.
Në 24 Gusht të këtij viti publikova shkrimin tim “Për t’i futur thikën pas shpine Lulzim Bashës”; një shkrim që analizonte se kush ishte kundërshtari i vërtetë i Ramës, por gjithashtu e për të shpjeguar se pse dinosaurët e vjetër politikë, ekonomikë dhe kriminalë do bëjnë çmos për të eliminuar Lulzim Bashën nga skakiera politike.
E riktheva këtë shkrim jo se ka lidhje me Shabanin, por për t’i kujtuar forcave të reja politike se në qoftë se sot ka një arsye që loja politike u hap dhe flitet për ta është e akti politik i Bashës për të përjashtuar Berishën, i cili solli shkatërrimin politik, jo vetën në, PD por edhe në klasën politike. Ka një paqartësi të madhe politike mes aktorëve të rinj sepse aleancën ju nuk do e bëni me emrin, por me parimet, pra kjo është politika.
1-Mbajtja e kontakteve me partnerët strategjikë SHBA dhe BE;
2-Forcimi i institucioneve të drejtësisë dhe mbështetja e tyre;
3- Listat e hapura.
Këtë duhet të flasin forcat e reja politike sot, a bashkohen rreth parimeve sepse në fund të ditës politika kjo është, ajo çfarë beson dhe çfarë përfaqëson.
Prandaj pavarësisht qëndrimeve shumë të kundërta ideologjike ndjej një respekt për Arlind Qorrin sepse është i qartë dhe i vendosur në pikëpamjet e tij politike.
Sot që flasim Basha udhëheq një subjekt politik me organizim kapilar, të cilën asnjë nga forcat e reja nuk e ka dhe ky është fakt. Në çdo vend të Shqipërisë Basha ka struktura dhe është i vetmi politikan, i cili i ka mbijetuar dhe nga komploti McGonigal. E lëre me intrigat e kurthet që bëhen nga Rama-Berisha dhe enturazhi i tyre. Prandaj sot askush prej forcave të reja politike nuk ka një strukturë të ngritur, por as eksperiencën për të kuptuar se terreni politik është shumë më ndryshe nga dalja në media apo pëlqyeshmëria në rrjetet sociale.
Prandaj Endri; ju dhe forcat e reja mund të zgjidhni çfarë të doni, mund ta shpallni armik dhe Bashën ta keni kundërshtar në zgjedhjet e 2025-ës, por koha do ta tregojë se pse e bëtë dhe a do t’ju japë të drejtë. Unë di të them vetëm kaq! Që copëzimi i opozitës ka vetëm një humbës, e kjo dihet që është Shqipëria. Ka dhe një fitues, që e ka emrin Edi Rama. Ju më pas vendosni vetë!

Exit mobile version