Nga Agron Gjekmarkaj
Te maxhoranca e dalë nga zgjedhjet e masakruara të 25 prillit është mbledhur kremi dhe yndyra e vendit bukuria, klasi e shija, inteligjenca dhe urtia, e mira dhe begatia, askund nuk u rri hipokrizia. Ke qejf t’u dëgjosh gojëtarët e mendimtarët. Te ne të opozitës, vesi, e keqja, dembelia, padija e mërzia bëjnë konak e shtrojnë çardak sipas tyre.
Njerëzit i kanë dëgjuar të thonë, o gjind, ne jemi pritmi, mezja dhe rakia, ne jemi lezeti, qyfyrja dhe bereqeti, ne jemi historia në krah na rri lavdia, ç’e doni opozitën, mos u merrni me ta, kot e kini, pas tyre mos rrini, jemi ne, bëjmë be! Gjithçka e dimë me siguri, e bëjmë ne siç e do ti Shqipëri. Jemi puna, jemi guna, jemi nëna edhe baba, jemi dielli, jemi shiu, jemi fryma, jemi jeta, rruga dhe e vërteta.
Këto muaj të trazuar të jetës politike një gjë më bën përshtypje, një sjellje që përkufizon gjendjen. E kam fjalën për nënshtrimin e secilit ndaj Edi Ramës. I uruari paskësh qenë adapt. I kanë frikë dhe hijen, jo më zërin, bëmat, vikamat, kërcënimet e mandatat. I ka bërë tërbiet të madh e të vogël. Spiunët shtohen, indiferentët zvogëlohen. U hedh një shikim të ëmbël dhe fluturat e parajsës shfaqen. Kur i hidhur është syri, e zezë bëhet dita e katran nata. Të gjithë flasin me një gjuhë mushku. Më bën përshtypje një fakt njerëzor. Humori vlen për këdo njësoj, për të gjitha qeniet njerëzore. Kushdo mund të tallet duke filluar nga vetja, dhe qyqar ai që nuk di të qeshë me veten, ndaj jo çdo thumb është i lig. E qeshura e dëlir njeriun, e bën më të mirë, relativizon patetiken shpesh hipokrite të politikës. Zymtësia është një veshje e rëndë si kostum teneqeje e shtrëngon personin e gjorë. Ajo nuk është sinonim i seriozitetit, as i së vërtetës. Fsheh ankth e pasiguri. Nuancat e gazit janë të pambarim.
Nejse, se po na hallakaten mendimet si viçi në lëndinë. I pandrojtur për të biseduar me këdo e për çfarëdo i pashqetësuar në më kap kamera apo fotografia, po hiç fare, dëgjoj një zell të deputetëve socialistë të bëjnë batuta për Bashën, Berishën dhe Metën dhe s’ka asgjë të keqe se nuk më mungojnë as mua. Njerëzit po tallen me profetët e jo më me liderët. Por, ama, po t’u thuash një fjalë për Edi Ramën, shohin tavanin, lidhin këpucët, këqyrin anash, u bie një hije halli e gazepi. Një si nyje u bëhet në fyt e pinë ujë. Frika si murrlani u than bisedën. Muret kanë veshë, kundërshtari sy e veshë, Rama sy e veshë pa fund. Mark Alemët lexojnë edhe ëndrrat, jo me fjalët. Ikin nga tema dhe dalin te koha, te breshëri mbi kallamboqin e opozitës. Rama është i mençuri qamet, i dituri pa fund, inteligjenti pa masë, guximtar kur të tjerët janë frikacakë, i dhembshur kur të tjerët janë shpirtkazmë, dritë në terr, zjarr në ngricë.
Ai merr vendimin e duhur në kohën e duhur me njerëzit e duhur. Ai e mbështjell kohën në dorë si brumë dhe me të bën kulaçet e vet në saç. Dendi, garip, i ndritur, i gjatë, aspak i thatë, sarkastik, olimpik e shumëçka tjetër për të vetët. Të gjorët e kanë bërë autocensurën, si frymën thithin oksigjen e mendohen, seleksionojnë fjalët, të cilat shtyhen si tifozët për të hyrë në stadium e brohoritur “Le ta gjuajë kompetenti”! Jemi të gjithë kalimtarë! Individët nuk e ndërtojnë vetë kultin, ua ndërtojmë ne me interesat tona dhe me frikën se mos ato bjerrin, me ambicie që nuk njeh limit, me dalldinë për pasuri dhe kësisoj heshtja dhe zellin në lëvdata ia dorëzojnë vendin e shoqërinë sundimit dhe arbitraritetit. Reflektoni, more qerratenj, se koha në vetvete është e pambarim, po për secilin prej nesh e kufizuar për t’u lënë një trashëgimi etike pasardhësve.
Shumë kurrize të përkulura, shumë mendje të robëruara, shumë barqe të pangopura sillen asaj ane. Sundimtari i sheh. Lë makinën dhe shëtit mbi shpinën e tyre e ata sus. Sundimtari i vë në provë nëse mendja fle dhe kur bindet se ashtu është, u thotë mendoni. Sundimtari është xhymert, u shtie pa fund në barkun si shpellë copa nga pronat e Shqipërisë. Rëndësi ka maja. Atje rri ai! Ata poshtë, kaq i duhet. Në politikën vendimmarrëse shqiptare, interesi dhe frika dominojnë arsyen, e cila ka nevojë të vaksinohet me kurajë civile. Vetëm atëherë Shqipëria buzëqesh dhe propaganda trishtohet.
Marrë nga “Panorama.al’.