Letër Milan Kunderës

Nga Agim Baçi

Nuk di nga t’ia nis letrën ndaj jush. Janë të shumta përgjigjet që do të doja të kisha nga ju. Ja, p.sh, Ludovigu më duket sikur ka jetuar në fqinjësi me mua, i detyruar të jetë viktimë e shakasë së tij. Por, a mund të jetë humori pjesë e protestës, e disidencës? Unë kam përjetuar në rininë time raste kur për një fjalë goje – ashtu si shakaja e Ludovigut – që të përfundojnë pas dyerve të qelive. Më vonë, kur sistemi u rrëzua, e kuptova se shakaja kish qenë më e ndëshkuara e sistemit, sepse përmes një humori rrëzohej gjithçka që ishte veçse një dordolec i mendimit, veprimit dhe komunikimeve në një sistem ku, ashtu siç keni përshkruar ju, askush nuk ishte më vetvetja, por të gjithë ishin ushtarë të partisë.
Jam mbështjellë me pëlhurën e nostalgjisë që ju e thurni aq bukur, duke na e varur mbi Itakë, duke na zgjuar Odiesun brenda gjithsecilit. E ndjej gjithësinë tek librat e tu, teksa përshkruani në intervistat tuaja se “njeriu dhe bota janë të lidhura si kërmilli me guaskën e vet”. E më pas, më vjen vetiu pyetja: Po cili është për ju Identiteti i njeriut? Kur duhet të trembemi se po rrëshqasim e se rrezikojmë të humbim konturet e fytyrës sonë? A janë pyetjet e Shantalit një guidë për të na çuar drejt pasqyrës së pyetjeve tona? Apo ne duhet të shikojmë se si rëndohet “lehtësia” me të cilën ju ndërtoni përpara nesh paparballueshmërinë e plotë të qenies sonë?
Ju shpreheni se notoni në histori, si një kirurg, që kërkon të shkosh në palcën e asaj që mban njeriun të lidhur me çdo të shkuar. A mendoni se janë të ndjeshme këto fije me të shkuarën dhe që shpesh lidhen brenda shtyllës së dëshirës sonë për të ecur përpara, pa ditur se fija është diku thellë, në atë të shkuarën që nga çasti në çast pritet të hapë një derë e të na ftojë. A mos është kjo edhe magjia e Pavdekësisë, që bën njëkohësisht të mundshmen dhe të pamundshmen të bashkudhëtojnë?
Me librat tuaj kam përjetuar, kam udhëtuar, kam kujtuar. Por ajo që më mban ende në ato fae, është kurmi i pafund i pyetjeve që qëndron përballë meje, si një det që sapo nis të futem, më befason me dallgët e pafundme. Më duket sikur kërkon që busullën e lëvizjeve ta kem unë e jo ta marr nga ju. A do mundem dhe a është ky rrugëtimi më i mirë në gjithë atë det ndjesish që ke sjellë përmes fjalëve?

Lexuesi dhe admiruesi juaj, Agimi

….

I dashur Agim,
Nuk besoj se e kam thënë ende fjalën e fundit edhe pse ato që ke lexuar mund të jenë mjaftueshëm që të flasim për gjithçka që ti më pyet, ndaj le të mos flasim për rrëfimet e mia!. Ndoshta fjala ime është e veçantë sepse i kam shkruar unë, por në thelb unë mbetem vetëm një zë më shumë në lexime.
Unë prej kohësh kam ndalur në atë shumësi kuptimesh për ato që kam shkruar vetë, duke kuptuar disa të tashme brenda një të shkuare. Leximet e ndryshme janë si hamendësimet dhe hamendësimet ekzistojnë brenda një të tashme. Por, edhe për shkak se e tashmja është gati e pakapshme- shpesh si vetë jeta-, njerëzit merren më shumë me versionet e së shkuarës.
I dashur mik!
Në këtë botë të mbushur plot të papritura dhe befasi, që herë janë të këndshme e herë të vënë në dilema të vështira për t’u pranuar apo shpjeguar, njeriu ka nevojë të gjejë kohën e vet. Unë do të të kërkoja të gjesh brenda teje kohën tënde, të bësh atë që të kërkohet. Nuk është kohë me datë, por njëkohësisht nuk mund të shpërfillësh atë që ndodh rreth teje. Është një kohë që të vjen nga e shkuara dhe e ardhmja, duke bërë të tashmen tënde – një të tashme që shpesh njerëzit e humbin sepse nuk dinë ta lexojnë në kohën e duhur. Të lutem lexoje – por lexoje duke parë brenda vetes tënde, sepse vetëm ajo është kohë reale.
Mundohu të meditosh sadopak, miku im, mbi atë të bën ty të ndjesh emocion dhe pasion në jetën tënde. Ti mendon se kur pëshpërisim “shpirt”, “trallisje”, “dobësi”, “parajsë”, “ferr” “inat’, apo edhe shumë si këto, kemi thënë thjesht disa fjalë? Jo Agim, nuk ka asgjë të rëndësishme që të ekzistojë pa pasion. Nuk mund të kemi asnjëherë syze interesante për asgjë nëse nuk arrijmë dot të ndjejmë atë pëlhurë të pasionit, që të ndjemë lëkurën të ndryshojë dhe që të kërkojmë forcë për të kontrolluar ngjyrën e fytyrës që mund të na ndryshojë. E megjithatë, do të mjaftojë për dikë edhe një lëvizje dore. Mundet që të bëhemi shkak edhe thjesht duke kaluar. Sepse njerëzit kanë nevojë t’i japin fytyrë ndjesive të tyre. Dhe nuk është kurrë çudi që mund të jesh ti. Por ti ama, si do e lexosh atë që të shfaqet? A je gati të ndalësh për një çast atë që ke menduar e të lexosh situatën e re përpara syve të tu? Ja kjo është befasia, sepse ti nuk je kurrë i sigurt se për ty do të flasin apo do të të përshkruajnë vetëm ato që ti njeh, vetëm ato të cilëve u ke përshkruar vetveten, që u ke falur minuta dhe emocione. Dhe gjesti- ah gjesti- mbetet ndoshta më enigmatiku që kërkon prej nesh fjalë të pafundme, sepse ai është thellësia e thellësive.
A ke menduar Agim se si mund t’i jesh dukur dikujt tjetër? Do të doje të dije se si kanë menduar për ty? Do të doje ta dinin se si ke menduar ti për të tjerë? Mendon se je i zoti t’i shohësh të gjitha? Të dhembin moskuptimet apo mosmbërritja e një shenje që ke dashur t’i japësh dikujt?
Ja Agim, për këto njeriu është gjithnjë një udhëtim i pafundmë. Është një gjest, që herë shkon i pafiksuar, e herë trondit edhe pse është thjesht sa një lëvizje gjetheje pas një puhize.
Duhet të mendojmë për pasionin, për lirinë dhe revoltën tonë Agim: Kur e kanë momentin? Ah sa me fat janë ata që qëllojnë në çastin e duhur të shfaqin atë që do të ishte më e duhura. Por ja që edhe në e bëfshim ne, nuk jemi të sigurtë se mund të jetë çasti për të tjerët. E sado të qetë të jemi për ç’ka bëmë, ne e dimë, se ai/ajo, do të jenë shqetësimi ynë.
Yti, Milani!

(Letra është pjesë e librit me 18 letra imagjinare, “Letër Dylqinjës së Tobozës”)

Artikulli paraprakPD, Jupi: Sa më shumë zonja në drejtim dhe vendimmarrje, aq më shumë një politikë e drejtë dhe cilësore
Artikulli tjetër“Oj Kosovë, oj nëna ime”- Shqiptari shkëlqen në “American Idol”! I riu prek jurinë me historinë e tij: Nuk takoj dot nënën e sëmurë! Mes lotëve këndon në shqip