Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje letrën e një maturanteje, e cila është viktimë e sistemit skandaloz Rama-Nikolla, ku pavarësisht se ajo ka një mesatare maksimale prej 9.88 pikësh nuk rezulton fituese në degët që ajo preferon.
“I nderuar Zoti Berisha! Me gjithë respektin që kam për Ju mora guximin tju shkruaj. Unë jam një maturante, viktimë e reformës së dështuar në arsim nga qeveria aktuale. Kam përfunduar gjimnazin me mesatare 9.88 dhe mesatarja e provimeve është 9.5. Endrra ime ka qenë gjithmonë mjekësia.
E gjithë ëndrra ime u dogj vetëm, sepse nuk bëra zgjedhjet e duhura për provimet e maturës. Kjo, sepse kanë preferuar të mos i bëjnë të ditur kriteret në fakulte në mënyrë që nga kjo skemë të përfundojmë në shkolla private. Por i Nderuar, prindërit e mi kanë hequr bukën nga goja e tyre që të arsimohem unë. Unë jam apolitike: nuk kam mbështetur kurrë një ngjyrë politike, por gjithmonë ju kam parë si një intelektual dhe dashamirës i dijes.
Jam në dijeni që mundësitë tuaja janë të kufizuara dhe nuk mund të bëni asgjë për të gjithë ne; fatkeqësisht jemi në duart e dikujt që mesa duket e urren arsimimin. Por si ka mundësi që 12 vite punë të palodhur, 12 vite etje për dije të thërrmohen brenda një dite?! A nuk supozohet që ai që punon fort duhet të shpërblehet?! Ku është drejtësia këtu? Kësaj pyetje retorike e di që s’mund t’i përgjigjet askujt, por kisha nevojë që ta shprehja edhe unë mendimin tim tek dikush që na mbështet neve, te një intelektual i vërtetë, jo te dikush që nuk di as se si të flasë para një audience pa u treguar arrogant e pa i ofenduar!
Kam filluar të ndjej urrejtje për këtë vend, pasi nuk kam më asnjë fije shprese se drejtësia do të na mirësevijë më. Me këtë ritëm rinia do të preferojë të punojë punë të rëndomta në dhè të huaj se sa të qëndrojë këtu.
Me respekt
Ariola S”