Nga Ilir NIKOLLA
Ditën e nisa sot me përshtypje të përziera. Në rrjetet sociale vijonte pezmi për shkatërrimin e djeshëm të godinës së Teatrit Kombëtar, por hasa edhe në shënime falenderuese për kontributin e profesor Maksim Cikulit, i cili u nda nga jeta pas dekadash shërbimi në jetën publike. Paralelisht, në gazetën më të madhe italiane, Corriere della Sera, hasa në letrën-përgjigje të Silvio Berluskonit, në përgjigje të një debati të çelur nga gazetari i mirënjohur Ferruccio de Bortoli mbi kapitalin human të Italisë dhe rolin që duhet të luajnë ata pas kësaj pandemie. Aty, Berluksoni i bënte thirrje botës së biznesit që të merrnin përsipër përgjegjësinë shoqërore që u takonte dhe të drejtonin vendin drejt të ardhmes që i takon.
Sigurisht nuk do të ndalem tek hollësitë e debatit, por tek domosdoja e tij, tek përgjegjësitë shoqërore që kanë shtresa të caktuara në zgjidhjen e krizave që kaplojnë vendet. Në nahijen tonë, të gjithë e dinë se pas pandemisë së koronavirusit, do të vijë një krizë e rëndë ekonomike, e cila do t’i bashkangjitet krizës së rëndë të demokracisë në vend. E për zgjidhjen e kësaj krize duhen shembuj shprese, duhen pionierë të reformave, tribunë që janë të gatshëm të marrin edhe rreziqe, e mbi të gjitha, duhet një angazhim shoqëror për të sakrifikuar e për ta mbështetur këtë ndryshim.
Për ta thjeshtuar më shumë, Shqipërisë sot i duhen intelektualë si Maksim Cikuli, aktivistë të pakompromis, e njëkohësisht intelektualë të urtë. Cikuli i përkiste asaj kategorie intelektualësh që u angazhua bash prej barrës së përgjegjësisë shoqërore që kishin intelektualët (mbahet mend angazhimi i paprecedentë i mjekëve në Lëvizjen Antikomuniste të 1990-s) e pikërisht, pse përfaqësonin këtë përgjegjësi shoqërore, edhe patën sukses në reformat e thella që udhëhoqën. Këtyre pioinierëve iu shtua edhe entuziazmi për ndryshim e natyrisht edhe konsensusi i shoqërisë për të ecur përpara.
Duke ju rikthyer letrës së Berluskonit mbi përgjegjësitë e borgjezisë italiane në këto kohë të krizës, pyetja është: Ku janë sot pionierët e biznesit të tezgave, kioskave dhe importit të bananeve? Afërmendsh, nuk po kërkojmë mes tyre liderin e formatit të Berluksonit, por inovatorin, prodhuesin e vendeve të punës dhe konkurruesin në tregjet rajonale. Por në fakt, ky inovacion nuk shfaqet më në ekonominë tonë të rikthyer në nivelin bazë të importeve, nëse s’është përfaqësuese e kompanisë së njerëzve që janë shndërruar në mjelës të buxhetit të shtetit. Vetëm ky takëm njerëzish ka dukshmëri publike sot dhe ky takëm është kudo, por gjithmonë pas kryeministrit, darovitësit kryesor. Këtë takëm e gjejmë edhe si përfituesin e dytë pas aferës së shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, e gjejmë si përfituese dytësore edhe tek planet e investimeve për 10-15 vitet e ardhshme, e për këtë shkak, kjo shtresë është shndërruar në aleaten kryesore për instalimin e “status-quo”-së së regjimit.
Gjatë dekadës së fundit rreth 1 milionë shqiptarë, kryesisht të rinj dhe në moshën kryesore për inovacion e biznes e kanë lënë vendin. Kjo energji mungon sot në Shqipëri dhe nuk mundet të luajë rolin që i përket në debatin që duhet të shoqërojë reformat që kërkohen për daljen e vendit nga kriza. Në vend të këtij debati publik, kemi vetëm kryeministrin që boton projekte në 3D pas çdo sheshi shkatërrimi dhe i shoqëron me shprehjen prej fallxhori “keni për ta parë pas ca vitesh se si do të jetë”.
Ky erozion i madh mundësish e bën kaq të varfër peisazhin e debatit publik në vend dhe kaq të pamundur imitimin, qoftë edhe në një shkallë zvogëluese, të debatit të nevojshëm që po shfaqet në shoqëritë perëndimore post-Covid. Në peisazhin tonë publik mbetet vetëm kujtimi i shembujve angazhues që na vijnë nga Lëvizja Antikomuniste e 1990-s, si dhe shembujt e rezistencës qytetare. Këta shembuj janë të pakoordinuar, por janë shembuj shprese. Është kapitali human që na ka mbetur, pas gabimeve 30 vjeçare të tranzicionit. Nuk do t’i kemi më biznesmenët që i kërkon Berluskoni Italisë, as shembujt e mëdhenj të filantropisë që ka patur bota shqiptare e viteve ’30, por do të kullandrisemi me kujtimet e ndritura dhe me energjinë e mbijetesës, që racës tonë asnjëherë s’i ka munguar.
Duke i besuar historisë tonë të mbijetesës, them se shembujt e rezistencës janë një model i madh shprese dhe pres me kureshtje të shoh edhe heronjtë, që nga bota akademike, inteligjencia, disidenca e majtë dhe kleri shqiptar do t’i bashkohen kësaj rezistence, për të mos e lënë vendin në dorën e klikës që ka shkatërruar biznesin dhe ka rrënuar shpresat e ekonomisë tonë për mbijetesë në tregun rajonal. Ringritja ekonomike prej kësaj aleance të pritshme do të ishte një përfitim dytësor, pasi përfitimi i parë do të mbetet rikthimi i vendit në shinat demokratike, në shinat që u ngritën me idealizëm të shëndoshë pas Lëvizjes Antikomuniste të 1990-s.