Letra e Calavera dhe dallaverja e Ramës

Oerd BYLYKBASHI

Kronika e një rrëmuje të paralajmëruar!
Vettingu ngeci vetë, u ngatërrua me këmbët e veta, pa asnjë ndikim të çadrës së opozitës dhe as çadrat e vetting-ut nuk i bënë derman. Sot Parlamenti pranoi që tentativa e parë e vetting-ut të Ramës dështoi. Kushtetuta kërkon të zgjidhen kandidatët, por me 21 kandidatë për 27 poste nuk është zgjedhje, por emërim. Madje mbeteshin 6 vende bosh.
Na doli një letër e znj. Calavera që vendosi caqe të reja në doktrinën kushtetuese. Sipas saj, 21 kandidatët mjaftonin sepse procesi mund të bëhej me dy faza. Së dyti, kishte identifikuar 79 kandidatë që Avokati i Popullit i kishte skualifikuar me të drejtë se nuk kishin dokumentacionin, por ia vlenin gjithsesi të rikonsideroheshin nga Parlamenti. Me gjithë respektin, por në cilën Kushtetutë i gjetën këto çudira që vetëm me Kushtetutën shqiptare nuk puthen?!
Një shpjegim kisha për ONM: mekanizmi i përzgjedhjes nga komisionet ad hoc, hartimi i një liste të vetme dhe votimi apo rrëzimi i saj me votim në bllok, jo me kandidatura të veçanta, është mekanizëm garantist që synon të garantojë parimin e paragrafit të famshem 88 të Komisionit të Venecias. Nuk i vë faj se nuk kanë qenë aty gjatë negociimit.
ONM nuk është ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit) e kohës së socializmit, ndaj nuk mund të riparojë atë që nuk e thotë Kushtetuta. Së pari, 21 kandidatët nuk mjaftojnë. Për 27 poste duhet së paku dyfishi i kandidatëve. Kaq mjafton që ONM ta quante procesin të dështuar.
Së dyti, as znj. Calavera dhe as Kuvendi nuk kanë të drejtë të sajojnë dy faza, kur Kushtetuta e thotë qartë që lista e 27 kandidatëve votohet një e vetme në bllok. Pra, nuk kanë të drejtë të sajojnë më një shkresë, sado supra-sovranitet të ketë vula, një dispozitë kushtetuese që nuk ekziston. Së treti, znj. Calavera apo Kuvendi nuk mund të rivendosin në afat kandidatët që nuk i sollën dokumentet e kërkuara nga ligji. Të gjitha këto sugjerime bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjin.
Po dallaverja e Ramës nuk ndalon. Jo vetëm që donte të mbaronte punë me 21 kandidatët siç e këshillonte letra e Calaverës, por deshi të emëronte edhe opozitën. PDIU do të bënte opozitën!!!
Por kjo çoraphane nuk mbaron. Kuvendi me një vendim, ia ridërgon kandidaturat Avokatit të Popullit, i cili duhet të hapë proces të ri kandidimi që ka afat 7 ditë.
Së pari, kur procesi dështon, Kushtetuta kërkon që të rinisë nga fillimi dhe organi kushtetues kompetent është Presidenti i Republikës dhe vetëm kur ai nuk e përmbush brenda afatit, procesi kalon tek Avokati i Popullit. Dhe kjo është shkelja e parë kushtetuese.
Së dyti, në cilin nen të Kushtetutës apo të ligjit e gjetën afatin 7 ditor dhe procedurën që do të kryhet? Nuk ka asnjë afat të tillë. Parlamenti duhej të miratonte një amendament në ligjin e vetting-ut së paku, ku ose të vendoseshin afate të reja, ose të referoheshin afatet normale për këtë fazë të jashtëzakonshme. Me vendosjen e këtij afati, Kuvendi ka shkelur Kushtetutën sepse duheshin 84 vota për ndryshim në ligj.
Së treti, Kuvendi po vendos kandidatët në kushte pabarazie. Disa kandidatë që konkurruan më parë e tani mund të plotësojnë dosjen kanë patur 15 ditë plus 7 ditë me afatin e ri, pra 21 ditë, ndërsa të tjerët që kandidojnë rishtazi do të kenë vetëm 7 ditë. S’ka asnjë çudi që këta do të skualifikohen se ustallarët e kanë ndarë mendjen.
Ua patëm thënë që në fillim: po e bëni lëmsh sistemin e drejtësisë e do t’ju dështojë! Ua tha edhe Komisioni i Venecias, po pse donin të dinin këta?! Vettingu apo vitingu siç i thonë në dialekt. Aq shumë ia kanë bombarduar kokën shqiptarëve me këtë Vetting-un që votuan me votën e Prengës dhe të inkriminuarve të tjerë saqë pas ca kohësh, nuk është çudi që do të dëgjojmë plakat të mallkojnë:
T’mort vitingu, ishalla!

Artikulli paraprakKukeli: Dua të bëhem trajner
Artikulli tjetërDe Biazi lavdëron Çanin, pret ndihmë nga Gatuzo për Manajn