Letra nga burgu i Burrelit / Bardhyl Belishova: Kurrë sa të jem gjallë as nuk do të hesht e as nuk do të nënshtrohem

“Në këtë heshtje varri vazhdimisht kam dëgjuar trokitjen e vdekjes në portën time të hapur. Në këtë burg tashmë vdekja ka hyrë, kufomat e para kanë dalë, kufoma e një të burgosuri në grevë urie është gati për të dalë, dhe ndoshta edhe radha ime po afrohet.”

“Ndër torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit, së pari është tymi i druve ose i qymyreve që ndizet në mangall, mbush dhomën ku vuajmë dënimin; së dyti zhurma që nuk pushon ditë as natë. Nuk pretendoj të kemi banjo, ashtu sikurse thuhet se kemi, as kërkoj të na çlirojnë nga shpullat, grushtet e fyerjet e përditshme, por ju lutem, urdhëroni autoritetet e Burrelit të na çlirojnë nga zhurmat që na shkatërruan sistemin nervor”

“Letra nga Ferri” titullohet ekspozita e organizuar nga IKKK, ku publikohen letra të të burgosurve politikë drejtuar familjarëve të tyre, por edhe letra ankese dhe proteste drejtuar organeve të diktaturës. Letrat rrëfejnë dimensionet e dhimbjes, tregojnë ashpërsinë e diktaturës, por edhe dinjitetin njerëzor në kushtet e terrorit në kufijtë e të pabesueshmes. Tema ka zgjedhur dy letra të dërguara nga burgu i Burrelit nga të dënuarit politikë Dom Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova. Në këto letra rrëfehet ana e errët dhe ashpërsia ekstreme e diktaturës ndaj armiqve të regjimit komunist. Dom Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova tregojnë torturat çnjerëzore në qelitë e burgut dhe sjelljen e ashpër të drejtuesve të regjimit.

Përgjigja që u vjen dy të dënuarve politikë është po aq domethënëse. Autoritetet e diktaturës nuk marrin në konsideratë asnjë ankesë apo protestë për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut brenda qelive të burgut, por urdhërojnë ashpërsimin e dënimit dhe torturave ndaj tyre. Më poshtë, gazeta Tema publikon tekstin e letrave, të shoqëruar me faksimilen e letrave origjinale.

Burrel, 26 tetor 1974
Drejtuar Byrosë Politike dhe KQ të PPSH
Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH
Këshillit të Ministrave të RPSH
Prokurorisë së Përgjithshme të RPSH

Ju drejtohet Bardhyl Belishova nga burgu i Burrelit.

Para tre muajsh kam pasur shenjat e një hemorragjie të brendshme dhe më vonë simptomat e një sëmundjeje që mjeku i burgut nuk mundi ta përcaktonte. Megjithë kërkesat verbale dhe me shkrim të paraqitura komandës së repartit, kryetarit të degës dhe përfaqësuesve të prokurorisë së rrethit, akoma jo vetëm që nuk më është dhënë ndihma mjekësore, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Si njeri që kam humbur çdo besim në drejtësinë e këtij shteti dhe i mërzitur nga kërkesat dhe protestat, të cilat pothuajse të gjitha kanë mbetur pa përgjigje, kisha vendosur që këtë çështje ta zgjidhja pa iu drejtuar organeve më të larta të këtij shteti.

U bënë vite që mbahet një heshtje varri ndaj gjithë pretendimeve dhe kërkesave të mia. Në këtë heshtje, vazhdimisht kam dëgjuar trokitjen e vdekjes në portën time. Heshtja e fundit tregon se vdekja po e hap këtë portë. Në këtë burg tashmë vdekja ka hyrë, kufomat e para kanë dalë, kufoma e një të burgosuri në grevë urie është gati për të dalë, dhe ndoshta edhe radha ime po afrohet. Në këto kushte dhe pas gjithë kësaj pritjeje kaq të gjatë e të vrazhdë, të vazhdosh të heshtësh do të thotë të jesh frikacak dhe të përdorësh heshtjen dhe nënshtrimin për t’iu shmangur rrezikut. Unë kurrë nuk do t’ia lejoj vetes një gjë të tillë. Kur është çështja për dinjitetin, jeta e humbet vlerën e saj. Ata që urdhëruan dënimin tim të parë në anën e një procesi të falsifikuar dhe më vonë ridënimin për letrën që i kisha dërguar Byrosë Politike më 11 shtator 1972 le ta dinë se unë kurrë, sa të jem gjallë, as nuk do të hesht e as nuk do të nënshtrohem.

Sa më sipër po shkruaj, sepse ata janë në radhët tuaja dhe vetëm me urdhër apo pëlqimin e tyre mund të më refuzohet ndihma mjekësore në këtë formë ose të më dërgojnë në botën tjetër.

Kohët e fundit, në kuadrin e përgjithshëm të ashpërsimit të luftës së klasave, kryeministri ka predikuar: “Partia na ka edukuar dhe na mëson që ai të cilit i dridhet dora për të pushkatuar me dorën e tij një ose dhjetë kundërrevolucionarë njëherësh, nuk është komunist por frikacak dhe oportunist.”

Sa më sipër po e trajtoj jo për të vërtetuar se trimat nuk merren me pushkatime, as që një predikim i tillë i përgjigjet jo vetëm moralit komunist, por as normave të moralit njerëzor të një kohe, por për të vënë në dukje se pas këtij predikimi, të burgosurit dhe kundërrevolucionarët mund të bien viktima të punonjësve të organeve të punëve të brendshme, të prokurorisë dhe ndoshta edhe të atyre të mjekësisë, të cilët duke pasur frikë se mos akuzohen për frikacakë dhe oportunistë, mund të sulen mbi ne për të kryer akte “trimërie”. Shenjat e para në këtë drejtim janë dukur.

Fakti se çdo protestë më ka sjellë vuajtje të reja më bën të mendoj se dikush mund të jetë i interesuar që unë të drejtohem me këto protesta të ashpra që pastaj të më godasin edhe më rëndë. E kam shumë të qartë se përderisa i jam kundërvënë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, askush nuk guxon të dalë në mbrojtjen e të drejtave të mia. Megjithatë, në mënyrë të ndërgjegjshme kam protestuar dhe do të protestoj për çdo padrejtësi që do të më bëhet, dhe do të kërkoj me shumë këmbëngulje të më jepet gjithçka që më sigurojnë ligjet. Të mos protestosh kundër padrejtësive do të thotë të bësh një jetë jo dinjitoze, akoma më tepër kur këtë e bën i imponuar nga frika.

Ata që më kanë dënuar padrejtësisht do të bëjnë gjithçka për të më nënshtruar, që të hesht ose për të më zhdukur. Drejt varrit unë mund të shkoj, por drejt nënshtrimit dhe heshtjes kurrë!

Bardhyl Belishova

 

Drejtuar: Komitetit Qendror

Ndër torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit, së pari është tymi i druve ose i qymyreve që ndezet në mangall brenda dhomës ku vuajmë dënimin; së dyti, zhurma që nuk pushon ditë as natë. Nuk pretendoj të kemi banjo ashtu sikurse thuhet se kemi, as kërkoj të na çlirojnë nga shpullat, grushtat dhe fyerjet e përditshme, por ju lutem, urdhëroni autoritetet e Burrelit të na çlirojnë nga zhurmat që na shkatërruan sistemin nervor, së paku të mos kemi zhurmë kur flemë.

Për arsyet e lartpërmendura janë bërë greva urie, shumë veta kanë dalë nga dhomat për të shkuar e për të pushuar në birucë, pa tesha, mbi çimento për ditë e net të tëra. Shumë protesta dhe ankesa janë drejtuar deri në Tiranë, por, mjerisht, burgu i Burrelit vazhdon të mbetet simbol i terrorit brenda e jashtë atdheut.

I burgosuri Dom Simon Jubani

Tiranë, më 3.XII.1974

Prokuroria e Përgjithshme, drejtuar Komisionit të Veprimit Hetimor,
Prokurorisë së Rrethit
Sh. Rexh Metra
Burrel

Ngjitur po ju dërgojmë dy letra të të dënuarve Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova, drejtuar Komitetit Qendror. Siç do të shihni, përmbajtja e tyre është armiqësore, sidomos e Simon Jubanit; prandaj të bisedoni me shokët e Degës së Brendshme dhe ndaj Simonit të merren masa procedimi për akuzën e parashikuar në nenin 72/1. Ndërsa për Bardhyl Belishovën të paralajmërohet se, po vazhdoi të shkruajë letra të këtij karakteri, do t’i bëhet përsëri ndjekje penale.

Drejtor i Kontingjentit të Veprimit Hetimor
Sotir Vaso

0 500 1730553239xdom simon jubani 561 0 500 1730553238xletra fq 1 702 0 500 1730553237xletra fq 2 360 0 500 1730553237xletra fq 3 224 0 500 1730553236xsotir vaso 280

Artikulli paraprakLulzim Basha uron Kemi Badenoch për zgjedhjen si lidere e Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar